Lidhje

Kalendari Historik 20 mars - 2002-03-20


Më 20 mars 1976 trashëgimtarja e një botuesi gazetash, Patricia Hearst, u gjet fajtore për pjesëmarrje në grabitjen me armë të një banke të San Franciskos në vitin 1974. Më 2 shkurt 1974. Patty Hearst, bija e një botuesi gazetash të quajtur, Randolph Hearst, u rrëmbye nga shtëpia e saj në Berkeley të Kalifornisë nga anëtarë të një grupi radikal majtist. Në mesazhin e tyre për shpërblesën, rrëmbyesit këmbëngulnin që familja Hearst t’i siguronte ushqim çdo personi të varfër në Kaliforni. Zoti Randolf Hearst dha ushqime me një vlerë prej 2 milionë dollarësh, por grupi radikal majtist nuk e liroi vajzën e tij. Më 3 prill 1974, më se dy muaj pasi ishte rrëmbyer, Patty Hearst deklaronte në një shirit manjetofoni që u dërgoi autoriteteve, se bashkohej me grupin e majtë radikal me vullnetin e saj të lirë. 12 ditë më vonë një kamera kontrolli në një bankë të San Franciskos në Kaliforni, kishte filmuar Patricia Hearstin gjatë pjesëmarrjes së saj në grabitjen e bankës me armë. Filloi një ndjekje e gjatë për kapjen e grabitësve. Më 18 shtator 1975 , Patricia Hearst u arrestua në një apartament në San Francisko. Pasi më 20 mars u gjet fajtore për grabitje me armë, ajo u dënua me 7 vjet burgim. Vitin tjetër, më 9 maj 1977, ajo u lirua me kusht. Që nga ajo kohë, Patty Hearst ka bërë një jetë qetë duke respektuar ligjin.

Më 20 mars 1852, u botua si libër i plotë romani i Harriet Beecher Stowe-t, Kasollja e Xha Tomit, i cili deri atëhere ishte botuar në fashikuj, apo pjesë-pjesë në një gazetë kundër skllavërisë. Romani përshkruante me ngjyra dramatike mizoritë e skllavërisë. Libri ndikoi mjaft në elektrizimin e opinionit publik verior kundër skllavërisë, që praktikohej në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Romani konfirmonte gjithashtu besimin e jugorëve që Veriu do të kërkonte gjithmonë t’i jepte fund skllavërisë, që shumë jugorë e shihnin si një domosdoshmëri ekonomike në jugun e tyre bujqësor. Kasollja e Xha Tomit ndihmoi për të ndezur armiqësitë ndërmjet Jugut dhe Veriut lidhur me çështjen e skllavërisë. Këto armiqësi u bënë shkas për fillimin e Luftës Civile Amerikane të viteve 1860.

XS
SM
MD
LG