Lidhje

Kalendari Historik 21 mars - 2002-03-21


Më 21 mars 1857 për herë të parë blerësit në një dyqan të Nju Jorkut, hipën në katet e sipërme me ndihmën e një ashensori i cili lëvizte lart e poshtë me kavo. Njerëzit mund të ngriheshin deri në katin e pestë në më pak se një minutë, pa pasur nevojë të ngjisnin shkallët. Ashensori që vihej në lëvizje nga një motor me avull, u shpik nga Elisha Otis. Çelsi i suksesit të ashensorit të ri ishte një pajisje automatike sigurimi, e cila nuk lejonte që ashensori të binte në tokë, në rast se këputej kavoja. Diçka e këtillë kishte ndodhur shpesh në versionet e mëparshme të ashensorit, prandaj edhe publiku nuk kishte besim në pajisje të tilla. Fakti që publiku e pranoi ashensorin e ri, revolucionoi projektet urbanistike të kohës.

Më 21 mars 1886 udhëheqësi i indianëve vendas amerikanë, i njohur me emrin Xheronimo, ra dakord për një armëpushim me ushtrinë amerikane. Ai tha se ishte i lodhur së luftuari me ushtarët. Ky udhëheqës i një bande të pamposhtur, Apashësh Çirikaua, kishte zhvilluar disa herë bisedime për paqe me përfaqësues të ushtrisë amerikane. Por premtimet e marrëveshjeve qeveritare, për furnizime ushqimore, vegla bujqësore dhe vendosjen e rendit në rezervatet indiane, shpesh herë ishin thyer. Kur kjo ndodhte, Xheronimoja dhe pasuesit e tij iknin nga rezervati dhe ktheheshin në fortesat e tyre malore në New Mexico dhe Arizona. Prej aty, ata sulmonin fshatra dhe qytete. Kur pranoi armëpushimin në vitin 1886 dhe nënshkroi marrëveshjen e paqes, Xheronimoja tha se donte të jetonte në paqe në malet e të parëve të tij në pjesën jugperëndimore të vendit. Por nuk ndodhi kështu. Xheronimo dhe grupi i luftëtarëve të tij u dërguan në mërgim në pika të fortifikuara ushtarake në shtetet Florida, Alabama dhe Oklahoma. Ai vazhdonte të gëzonte popullaritet të madh deri ditën që vdiq dhe u varros në fortesën Fort Sill në shtetin e ri Oklahoma më 1909.

XS
SM
MD
LG