Lidhje

5 vjet pas trazirave të ’97-s - 2002-03-21


Firmat rentiere dhe pasuritë e tyre u kthyen edhe një herë në kujtesën e opinionit publik së bashku me pasojat dhe humbjet kolosale që iu shkaktuan qytetarëve. Në fushatën e shkarkimit të zotit Arben Rakipi nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm, grupe politikanësh socialistë dhe opozitarë të djathtë përmendin midis argumenteve të tjera, edhe difekte dhe parregullsi që sipas tyre ishin vërejtur në procesin e administrimit të skemave piramidale.

Midis tyre spikati deklarata e ish-kryeministrit Ilir Meta i cili u shpreh në Parlament se është e nevojshme të bëhet transparenca mbi transparencën e skemave piramidale, duke pasur parasysh punën që një bord mbikqyrës shtetëror po bën që nga viti 1997 mbi piramidat që zhytën në kaos dhe trazira të dhunshme Shqipërinë. Edhe deputetë të opozitës, gjatë debatit në Parlament të hënën e kaluar përmendën shuma të mëdha parash, që sipas tyre, janë zhdukur nga llogaritë e kompanive piramidale, si dhe shprehën dyshime për korrupsion gjatë procesit të shitjes me çmime më të lira të pronave dhe ndërmarrjeve që zotëronin këto firma.

I mbuluar nga heshtja për shumë kohë, bordi mbikqyrës që kryesohet nga zoti Farudin Arapi u gjend papritur nën breshërinë e kritikave prej një numri jo të vogël politikanësh, emrat e të cilëve dalin herë pas here në listat e gjata të personave që kanë përfituar nga skemat piramidale. Qysh nga gjysma e dytë e vitit 1997 bashkësia ndërkombëtare u ka kërkuar qeverive të majta që pasuan në vend mbylljen e piramidave dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga rreziku i rishfaqjes së tyre. Shkatërrimi i disa prej skemave piramidale më të mëdha e zhyti Shqipërinë në trazira të dhunshme dhe lëvizje të armatosura, pikërisht në muajin mars, si sot 5 vjet më parë, kur gjithë populli ishte në rrugë nga një humbje kolosale e të ardhurave dhe kursimeve ndërsa politikanët u mbyllën nëpër zyra duke projektuar ndërrimin e pushteteve.

XS
SM
MD
LG