Lidhje

Izraeli vret tre ekstremistë pranë kufirit me Jordaninë,... - 2002-03-22


Izraeli thotë se trupat e veta vranë të paktën tre ekstremistë të një bande që kishin hyrë sot në territorin izraelit nga Jordania, pasi kishin shkëmbyer zjarr me rojet kufitare jordaneze.

Një zëdhënës ushtarak jordanez konfirmoi se forcat e vendit të tij ishin goditur me armë zjarri nga persona të armatosur të panjohur dhe tha se nuk kishte patur viktima nga ana e Jordanisë.

Incidenti ndodhi në skajin jugor të Lartësive Golan pranë detit Galilee, një pjesë e kufirit që ka qenë përgjithësisht e qetë që kur Izraeli dhe Jordania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1994.

Ngjarja ndodhi, ndërsa i dërguari amerikan i paqes, Anthony Zinni përgatitej të takohej përsëri sot me zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë të rendit, në përpjekjet e tij të vazhdueshme për të realizuar një armëpushim në Lindjen e Mesme.

Nuk ka patur njoftime për ndonjë përparim të madh pas raundit të fundit të takimeve të gjeneral Zinnit, të së premtes, i katërti që nga mbërritja e tij në rajon para dy javësh.

Gjakderdhja e vazhdueshme i mjegulloi përpjekjet e fundit amerikane për t’i dhënë fund dhunës 18 mujore. Një grua izraelite u godit për vdekje sot ndërsa udhëtonte pranë një vendbanimi izraelit në Bregun Perëndimor, ndërsa trupa izraelite në rajon vranë një polic palestinez pak kohë më pas. Gjashtë palestinezë vdiqën dje në luftime me forcat izraelite, në mbyllje të një jave në të cilën tre sulme vetëvrasëse palestineze me bombë shkaktuan vrasjen e 10 izraelitëve.

Në Washington, nënpresidenti Dick Cheney tha se nuk ka shumë shanse që ai të takohet me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat para takimit arab të nivelit të lartë në Beirut që do të mbahet këtë javë. Në një intervistë televizive, zoti Cheney nuk përjashtoi mundësinë e një takimi në të ardhmen, me kusht që udhëheqësi palestinez të veprojë me forcë për të ndalur sulmet terroriste ndaj Izraelit.

Presidenti Bush që po kryen vizita në vendet e Amerikës Latine, tha dje në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë udhëheqësit palestinez Yasser Arafat se ai nuk po bën sa ç’duhet për të luftuar terrorin.

XS
SM
MD
LG