Lidhje

Tre vjetori i fushatës së Natos në Jugosllavi - 2002-03-25


Duke valëvitur flamuj serbë dhe duke thirrur Nato-Vrasëse, rreth 10 mijë demonstrues marshuan nëpër rrugët e Beogradit me rastin e trevjetorit të fillimit të bombardimeve 78-ditëshe të Natos. Më 24 mars të vitit 1999 Natoja filloi fushatën e saj ajrore për ta detyruar Sllobodan Millosheviçin t’u jepte fund masave shtypëse ushtarake kundër shqiptarëve të Kosovës.

Duke folur në një miting në Beograd, udhëheqësi i Partisë Socialiste të zotit Millosheviç, Zoran Andjelkovic, u bëri thirrje të pranishmëve të mos e harrojnë kurrë ditën, kur, siç u shpreh ai, filloi agresioni kundër Jugosllavisë.

Dje presidenti jugosllav, Kostunica, mori pjesë në një shërbesë kishëtare, në përkujtim të rreth 3 mijë ushtarëve, policëve dhe civilëve serbë, të vrarë gjatë bombardimeve të Natos. Ai tha se si zoti Milloshevic edhe Natoja ishin fajtorë për bombardimet shkatërrimtare ajrore. Zoti Kostunica tha se ishte e pamundur të shkarkoje nga përgjegjësia autoritetet jugosllave. Ato, shtoi ai, mund dhe duhej ta shmangnin konfliktin me aleancën ushtarake më të fuqishme në histori.

Megjithatë ai tha gjithashtu se nuk duhej harruar, sipas fjalëve të tij, se kush e tërhoqi këmbëzën, nga një largësi e sigurt prej 10 kilometrash mbi tokë. Megjithëse e pranoi bashkëpunimin me Naton, zoti Kostunica përsëriti pohimin se nuk do t’i dorëzonte gjykatës së Kombeve të Bashkuara asnjë serb të akuzuar për krime lufte, në se ligjëvënësit jugosllavë nuk miratonin një ligj, që do ta lejonte një gjë të tillë.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kremtoi përvjetorin e tretë të fushatës ajrore të Natos, si ditën e parë të lirisë për Kosovën. Por presidenti jugosllav, Kostunica, shprehu keqardhje për vuajtjet e pakicës serbe të Kosovës.

XS
SM
MD
LG