Lidhje

Kalendari Historik 25 mars - 2002-03-25


Më 25 mars, të vitit 1911, nga zjarri që ra në një fabrikë veshjesh në qytetin e New Yorkut, humbën jetën 146 punëtorë, shumica e të cilëve gra të reja imigrante. Hetuesit e aksidentit zbuluan më pas se pronari i fabrikës, kompania Triangle Shirtwaist, nuk kishte ndjekur rregullat themelore të qytetit për parandalimin e zjarreve. Për më tepër kompania kishte mbyllur disa nga dyert e daljes për të ndalur punëtorët të vidhnin bluzat që prodhonin, ose për t’i ndalur ata që të merrnin pushime të shpeshta gjatë punës. Hetimet zyrtare rezultuan në një ligj më të rreptë për sigurinë kundër zjarrit dhe në fonde shtesë për vënien e tij në zbatim. Ndërtesa e fabrikës ndodhet edhe sot në afërsi të Washington Square Park-ut në New York. Në hyrje të parkut është vendosur një pllakë që u kujton vizitorëve viktimat e zjarrit. Ndër të tjera në të thuhet se “nga martirizimi i tyre rrjedh një koncept i ri i përgjegjësisë sociale dhe ligjet e punës, për t’i bërë kushtet e punës në Amerikë më të mirat në botë.

Më 25 mars të vitit 1634, dy anije të vogla angleze hodhën sperancat në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Ishte pikërisht vendi ku derdhet lumi Potomak në Gjirin Chesepeake. Anijet të quajtura Ark dhe Dove, sollën rreth 200 anglezë të krishterë, protestantë dhe katolikë, të cilët themelun qytetin e Shën Mërisë, si vendbanimin e parë të kolonisë së Marylandit. Karta mbretëre që ata mbanin u jepte atyre të drejtën të vetëqeveriseshin. Përpjekja e tyre e parë ishte një mbledhje e përgjithëshme si formë qeverisëse, kur burrat mblidheshin dy herë në vit për të vendosur për taksat dhe ligjet. Më pas ajo u zëvendësua nga Kuvendi i delegatëve me dy dhoma, që kishte autoritetin të miratonte ligje për të gjithë koloninë. Një nga ligjet e miratura prej tyre ishte ligji për tolerancën fetare për të gjithë të krishterët, që kishin të drejtë të krijonin një qeveri të përbërë vetëm nga burrat.

XS
SM
MD
LG