Lidhje

Jaser Arafati i rrethuar - 2002-03-29


Forcat izraelite kanë rrethuar Yasser Arafatin branda selisë së tij në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.

Forcat izraelite futën dje nën kontroll pjesën më të madhe të kompleksit, duke përdorur tanke dhe buldozerë për të shembur muret. Të paktën 6 palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë u vranë në luftimet gjatë ditës së djeshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se Izraeli e kishte siguruar atë se ka në plan vetëm ta izolojë zotin Arafat dhe se nuk do ta dëmtojë apo ta kapë atë.

Gjatë një konference shtypi në Washington, sekretari Powell dënoi me forcë aktet e kohëve të fundit terroriste palestineze dhe tha se qeveria amerikane shprehu pakënaqësi ndaj inkursionit izraelit në Ramallah.

Zoti Powell tha se i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, Anthony Zinni, do të qendrojë në rajon dhe do t'i vazhdojë përpjekjet për t’u dhënë fund luftimeve.

Zoti Arafat po qendron në një ndërtesë zyrash, nga ku vazhdon të zhvillojë bisedime me udhëheqës botërorë dhe t’u japë intervista rrjeteve televizive me anë të një telefoni celular. Të shtëna armësh mund të dëgjoheshin ndërkohë që ai fliste nga selia e tij.

Dje, në një intervistë me rrjetin televiziv CNN, ai u zemërua nga një pyetje rreth ndalimit të sulmeve nga ekstremistë palestinezë dhe i dha fund intervistës.

Ndërkohë, burime palestineze thonë se tanke izraelite kanë hyrë në fshatin palestinez Beit Xhala të Bregut Perëndimor.

XS
SM
MD
LG