Lidhje

Izraeli ngushton rrethimin përreth kryetarit Arafat - 2002-03-30


Izraeli ngushtoi rrethimin përreth zotit Yasser Arafat, që vazhdon të mbetet i bllokuar në selinë e tij në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor. Kompleksi i Autoritetit Palestinez nuk ka më energji elektrike dhe ujë dhe linjat telefonike janë prerë duke bërë që i vetmi mjet komunikimi për të, të jetë një telefon celular.

Trupat izraelite kanë nën kontroll pjesën më të madhe të ndërtesave, përveç zyrave ku strehohet zoti Arafat. Autoritetet izraelite thonë se nuk kanë në plan ta dëmtojnë fizikisht zotin Arafat dhe se operacioni synon shkatërrimin e infrastrukturës terroriste. Izraeli thotë se 145 palestinezë janë arrestuar deri tani. Palestinezët thonë se Izraeli ka për qëllim shkatërrimin e Autoritetit Palestinez.

Tanket izraelite hynë në qytetin Beit Jala të Bregut perëndimor, pasi snajperët hapën zjarr në një lagje hebraike të atjeshme.

Në Ramallah, trupa izraelite shkëmbyen zjarr me mbi 12 esktremistë palestinezë, që ishin mbyllur në një ndërtesë me zyra dhe i detyruan ata të dorëzohen.

Ka patur gjithashtu njoftime edhe për luftime të veçanta në zona të tjera të Bregut Perëndimor dhe Gazës.

Ediorialet e gazetave arabe dënuan mësymjen ushtarake të Izraelit ndaj kompleksit të zotit Arafat. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë ku i kërkohej Izraelit që të tërhiqej nga qytetet palestineze.

Por Izraeli thotë se veprimet e tij bëhen për vetëmbrojtje, pas një sërë shpërthimesh vetëvrasëse dhe sulmesh që vranë mbi 30 izraelitë në më pak se një javë. Izraeli thotë se do të shpërbëjë dhe shkatërrojë çdo infrastrukturë terroriste në territoret palestineze.

Ndërkohë, gra dhe fëmijë palestinezë planifikojnë të marshojnë drejt kompleksit të zotit Arafat për të shfaqur mbështetjen e tyre ndaj udhëheqësit palestinez.

XS
SM
MD
LG