Lidhje

Bush: shpërthimet vetvrasëse në Izrael janë akte terroriste - 2002-04-02


Presidenti Bush i ka bërë thirrje Yasser Arafatit që të japë urdhër për ndalimin e sulmeve vetvrasëse kundër Izraelit.

“Sulmet vetvrasëse në emër të fesë janë thjesht akte terrori. Prandaj bota e lirë, bota e qytetëruar duhet të bashkohet për të ndaluar këtë lloj aktiviteti, në mënyrë që në Lindjen e Mesme të zgjidhet konflikti dhe të vendoset paqja”. Gjatë një konference të shkurtër shtypi me gazetarët, Presidentit Bush iu drejtua pyetja nëse Kryetari Arafat dhe Autoriteti palestinez duhen trajtuar si faktorë që mbështetin terrorizmin. Presidenti Bush bëri diferencimin, duke vënë në dukje se udhëheqja palestineze ka punuar në të kaluarën për paqen.

“Kryetari Arafat ka rënë dakord për një proces paqeje. Ai ka rënë dakord me planin Tenet. Ai ka rënë dakord me planin Mitchell. Ai ka zhvilluar negociata me palët në bisedime se si të arrihet paqja”. Presidenti Bush nuk iu referua drejt për drejt veprimeve ndëshkuese izraelite kundër Yasser Arafatit. Por ai i bëri thirrje Kryeministrit izraelit, Ariel Sharon që të ketë parasysh një tabllo më të gjerë. “Për mendimin tim është me shumë rëndësi për kryeministrin që të mbajë hapur shtegun drejt paqes, të kuptojë nga njera anë që Izraeli duhet të vetëmbrohet, por nga ana tjetër duhet të ekzistojë mënyra dhe aftësia për të arritur një zgjidhje paqësore për këtë çështje”.

Në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Philip Reeker, mbajti një qendim disi më të rreptë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë tepër të shqetësuara për gjendjen në Ramallah të Bregut Perëndimor dhe në zona të tjera, ku po lëvizin forcat izraelite. Zoti Reeker i bëri thirrje Izraelit të tregojë përmbajtje maksimale. Shtëpia e Bardhë nuk i ka kërkuar zyrtarisht Izraelit të tërhiqet nga zonat ku ka dërguar forca ushtarake. Megjithatë, diplomatët amerikanë nënshkruan një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në fund të javës, që bën thirrje për tërheqje krahas masave të tjera siç është edhe vendosja e armëpushimit.

Philip Reeker u pyet lidhur me mundësinë e realizimit të këtyre masave në kushtet aktuale. Ai tha se tërheqja është pjesë e një plani veprimesh që Shtetet e Bashkuara do të donin të shikonin sa më parë që të jetë e mundur.

“Ne e kemi thënë shumë herë se Kryeministri Sharon duhet të vendosë se cilat janë veprimet që i shërbejnë më së miri jo vetëm interesave izraelite të sigurimit, por edhe interesave të perspektivës së popullit izraelit. Prandaj ne do të donim të shikonim një armëpushim të menjëhershëm, një tërheqje të forcave izraelite. Këto janë hapat kritike që ata duhet të hedhin tani”.

Zoti Reeker tha se Kryeministri izraelit duhet të shqyrtojë me kujdes pasojat e veprimeve të ushtrisë së tij në Ramallah, ku Yasser Arafati qendron i izoluar në pak dhoma të zyrave të tij. Forcat izraelite hynë në Ramallah të premten, dy ditë pas një sulmi vetvrasës në një festim para pashkëve në qytetin bregdetar Netanya.

XS
SM
MD
LG