Lidhje

Delegacion evropian në Lindjen e Mesme - 2002-04-02


Izraeli hodhi poshtë një kërkesë të të dërguarit amerikan në Lindjen e Mesme, Anthony Zinni, për t’u takuar me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, në zyrën e tij në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.

Ambasadori amerikan në Izrael, Daniel Kurtzer, e bëri këtë kërkesë në fillim të javës, por u hodh poshtë nga zyrtarë izraelitë, të cilët thanë se udhëtimi për në Ramallah do të ishte tepër i rrezikshëm për zotin Zinni.

Edhe një delegacion evropian që shkon sot në Lindjen e Mesme në kuadër të një misioni të ngutshëm diplomatik, po kërkon të takohet me zotin Arafat. Mirëpo, zyrtarë evropianë thonë se ende nuk u është dhënë leja nga Izraeli.

Bashkimi Evropian thotë se niveli i delegacionit të tij do të varet nga vendimi i Izraelit, nëse do ta lejojë atë të takohet apo jo me udhëheqësin e rrethuar palestinez.

Përveç takimeve me zyrtarë të lartë, zyrarë të Bashkimit Evropian thonë se të dërguarit e tyre do të kërkojnë edhe zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të rezolutës 14-0-2 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta bën thirrje për armëpushim, për tërheqjen izraelite, dhe rifillimin e bisedimeve të paqes.

Zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje për zgjerimin e përpjekjeve ndërmjetësuese, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, vende evropiane, Kombet e Bashkuara dhe shtete të moderuara arabe.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Bush mbështet rifillimin e bisedimeve politike midis Izraelit dhe palestinezëve edhe pa arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim.

Mirëpo, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë thotë se arritja e një zgjidhjeje politike do të jetë e vështirë nëse dhuna vazhdon.

Po dje, delegatët palestinezë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkuan tërheqjen e menjëhershme të Izraelit. Mirëpo, diplomatët thanë se Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të ushtronin më shumë trysni ndaj Izraelit.

Zyrtarë francezë po bëjnë thirrje për shqyrtimin e mundësisë së dërgimit të një force ndërkombëtare në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG