Lidhje

Kalendari Historik 7 prill - 2002-04-05


Më 7 prill 1788 u ngrit vendbanimi i parë në të ashtuquajturin territor veri-perëndimor te Amerikes. Në këtë territor përfshihej e gjithë hapësira tokësore që shtrihej në veri të Lumit Ohio dhe në perëndim të shtetit të New Yorkut deri tek Lumi Mississippi me një sipërfaqe prej rreth 690 mijë kilometrash katrorë. Sot ky territor është ndarë në shtetet Ohio, Indiana, Illinois, Michigan dhe Wisconsin si dhe pjesa lindore e shtetit Minnesota. Një grup i përbërë nga 47 burra dhe gra zbarkuan në brigjet veriore të lumit Ohio dhe ngritën një vendbanim në një vend që më pas do të njihej si qyteti Marietta i shtetit Ohio. Vendosja e tyre në këtë territor bëhej në përputhje me Urdhëresën Veri-Perëndimore. Kushti më i rëndësishëm që theksonte kjo urdhëresë ishte se çdo shtet i ri do të gëzonte të drejta të barabarta me shtetet më të vjetra dhe do të mbronte të drejtat civile të banorëve të tij. Kjo urdhëresë ndalonte gjithashtu skllavërinë në Territorin Veri-Perëndimor, duke u bërë kështu ligji i parë në Shtetet e Bashkuara që kufizonte përhapjen e skllavërisë.

Më 7 prill 1980 Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me qeverinë revolucionare që kontrollonte Iranin. Presidenti Jimmy Carter tha se Shtetet e Bashkuara e merrnin këtë masë pasi qeveria iraniane nuk kishte pranuar të merrte në mbrojtje pengjet amerikane të rrëmbyera nga një grup i ashtu-quajtur “studentët militantë.” Më 4 nëntor 1979, një grup iranianësh të armatosur kishin sulmuar ambasadën amerikane në Teheran dhe kishin marrë peng personelin diplomatik të ambasadës. Presidenti Carter tha se udhëheqësi iranian Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe qeveria e tij do të ishin përgjegjës për sigurinë e pengjeve të ambasadës. Presidenti Jimmy Carter gjatë pjesës tjetër të mandatit të tij u përpoq të arrinte një marrëveshje për të liruar pengjet.

XS
SM
MD
LG