Lidhje

Të paktën 25 palestinezë të vrarë - 2002-04-06


Të paktën 25 palestinezë u vranë dje, ditën më të përgjakshme të luftimeve që kur Izraeli filloi operacionin kundër ekstremistëve palestinezë në Bregun Perëndimor.

Mes të vrarëve janë disa ekstremistë të njohur, përfshirë një burrë që mendohet të ketë qenë planifikuesi i shpërthimit vetëvrasës ditën e Pashkëve hebraike, që nxiti pushtimin izraelit të qyteteve palestineze, tetë ditë më parë.

Kais Idwan, i akuzuar si planifikues i shpërthimtit vetëvrasës, drejtonte krahun ushtarak të grupit Hamas në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Ai ishte mes 6 personave që u vranë kur tanket dhe helikopterët izraelitë bënë hi e pluhur një shtëpi në fshatin Tubas.

Burime palestineze të sigurimit thonë se pas largimit të forcave izraelite, atje u vranë tre persona që dyshoheshin si bashkëpunëtorë të Izraelit.

Bëhet fjalë për luftime të ashpra edhe në Xhenin e Nablus. Forcat izraelite vranë edhe të paktën tre palestinezë, kur hapën zjarr kundër një objekti të panjohur në kampin refugjat Askar. Noftohet se një prej të vrarëve ishte një djalë 8 vjeçar.

Në Ramallah, forcat izraelite bastisën shtëpinë e ministrit palestinez të Inrmimit, Jaser Abed Rabbo. Vetë ministri nuk u arrestua.

Ndërkaq, një nga udhëheqësit e grupit Bragada Al-Aksa, u vra dje në Nabuls nga shpërthimi i lëndëve plasëse që mbante të lidhura për trup. Në Hebron, palestinezët thonë se helikopterë izraelitë sulmuan makinën e një të dyshuari si ekstremist i Xhihadit Islamik, duke plagosur të paktën pesë kalimtarë, kurse i dyshuari iku pa pësuar gjë.

Konfrontimi vazhdon në Betlehem, ku forcat izraelite mbajnë të rrethuar palestinezë të armatosur dhe persona të tjerë, të ngujuar në Kishën e Lindjes së Krishtit që nga e marta.

XS
SM
MD
LG