Lidhje

Izraeli në mosmarrëveshje me Washingtonin - 2002-04-07


Kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, tha se mund të ketë mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara, siç u shpreh, rreth veprimeve ushtarake të Izraelit në Bregun Perëndimor.

Të shtunën, presidenti Bush i telefonoi zotit Sharon për të bërë thirrje për një tërheqje pa vonesë dhe udhëheqësi izraelit ka premtuar se do t’i përshpejtojë operacionet.

Zoti Sharon tha se ofensiva ushtarake duhet të vazhdojë derisa të çrrënjosen ekstremistët palestinezë që janë pas shpërthimeve vetëvrasëse kundër Izraelit. Ai theksoi edhe rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara dhe shtoi se çdo mosmarrëveshje që mund të dalë do të jetë midis miqësh.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell, i cili do të shkojë këtë javë në Jeruzalem, tha se është inkurajuar nga premtimi i zotit Sharon për t’u dhënë fund operacioneve ushtarake sa më shpejt që të jetë e mundur. Mirëpo, zoti Powell tha se nuk janë zhvilluar diskutime rreth një afati për tërheqje.

Këshilltarja e presidentit Bush për çështje të sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice, tha se Shtëpia e Bardhë e kupton që një operacion ushtarak i këtyre përmasave nuk mund të ndalohet në moment, por ajo që ka rëndësi është të ndryshohet gjendja në terren. Zonja Rice tha se Izraeli nuk duhet të presë për mbërritjen e zotit Powell që të fillojë tërheqjen. Dje, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim për diskutime rreth inkursionit izraelit në Bregun Perëndimor. Zyrtarë palestinezë dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Lidhjes Arabe kanë bërë thirrje për zbatimin e menjëherëshëm të rezolutës së OKB-së, që bën thirrje për tërheqjen izraelite.

Sekretari Powell u largua mbrëmë nga Washingtoni për një turne, gjatë të cilit do të vizitojë Marokun, Egjiptin, Spanjën dhe Jordaninë para se të shkojë në Jeruzalem. Ai tha se do t’u bëjë thirrje udhëheqësve arabë të luajnë rol më të drejtpërdrejtë në përpjekjet për të bindur udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, që t’i japë fund dhunës. Ai tha gjithashtu se udhëheqësit arabë duhet të bëjnë më shumë për të zbutur zemërimin në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG