Lidhje

Powell: - 2002-04-08


Sekretari i Shtetit Colin Powell u takua sot në Kairo me presidentin Hosni Mubarak ndërkohë që vazhdon turneun në Lindjen e Mesme me synimin për të ulur tensionet në konfliktin izraelito-palestinez.

Zotit Powell, i cili vendosi të shkojë në Jeruzalem një ditë para planifikimit, pra të enjten, po i bëhet trysni nga Egjipti dhe vende të tjera të moderuara arabe që të shpejtojë tërheqjen izraelite nga Bregu Perëndimor.

Në çdo ndalesë të turneut të tij, zoti Powell është kritikuar nga udhëheqësit arabë se e ka lënë për në fund vizitën në Jeruzalem.

Para se të arrinte në Kairo, ndihmësit e zotit Powell thanë se sekretari i shtetit po e lëvizte për të enjten datën e arritjes së tij në Jeruzalem, pra një ditë para planifikimit, për të krijuar kushtet për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë.

Duke komentuar për gazetarët pas takimit me presidentin Mubarak, zoti Powell deklaroi për herë të parë se ka në plan të takohet me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat, i cili mbahet i bllokuar nga forcat izraelite.

Ai tha gjithashtu se kishte folur në telefon me kryeministrin izraelit Ariel Sharon. Zoti Powell shfaqi shpresën se kryeministri Sharon do t’i përmbahet deklaratës për tërheqjen e forcave nga zonat palestineze të Bregut Perëndimor.

Presidenti shpreson se kryeministri Sharon do t’i japë fund pa vonesë këtij operacioni dhe do të fillojë menjëherë tërheqjen e forcave. Ne shpresojmë se hapat e djeshëm do të jenë fillimi i fundit të operacionit, tha Powell.

Zoti Powell tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj bisedimeve politike për një zgjidhje në rajon, paralelisht me bisedimet e armëpushimit. Ai ritheksoi gatishmërinë e administratës amerikane për të vënë në dispozicion vëzhgues të cilët do të monitoronin armëpushimin, nëse ai arrihet.

XS
SM
MD
LG