Lidhje

Nga takimi i Madridit - 2002-04-10


Sekretari i shtetit, Colin Powell, një ditë para mbërritjes në Jeruzalem për një mision tepër të rëndësishëm paqeje në Lindjen e Mesme, siguroi një mbështetje të pazakontë e të përbashkët nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Katër palët e mblidhura në Madrid, bënë thirrje për një tërheqje të menjëhershme të Izraelit prej qyteteve palestineze dhe masa të vendosura nga ana e palestineze për të frenuar terrorizmin. Serioziteti i gjendjes u pasqyrua në mbledhjen e Madridit me pjesëmarrjen e sekretarit Powell, sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Javier Solana, dhe ministrit të jashtëm rus, Igor Ivanov. Në deklaratën e tyre të përbashkët thuhet se nuk ekziston asnjë zgjidhje ushtarake e konfliktit. Në të kërkohet ndalimi i të gjithë operacioneve ushtarake izraelite dhe përpjekje të mundshme maksimale nga ana e udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat, për të ndaluar sulmet terroriste kundër izraelitëve të pafajshëm. Zoti Powell u tha gazetarëve se dhuna po rrezikon përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje paqeje mbi bazën e krijimit të dy shteteve në Lindjen e Mesme. “Dhuna po destabilizon krejtësisht rajonin dhe po shkatërron vizionin e paqes. Prandaj sot ne bëjmë thirrje që dhuna të ndalet dhe përgjigja ndaj dhunës të marrë fund, që qeveria Izraelite të tërhiqet nga mësymja e tanishme duke bërë kështu një hap përpara, me mbështetetjen tonë të përbashkët,” tha sekretari Powell. Sekretari i shtetit pritet të mbërrijë në Jeruzalem nesër vonë me një mision ndërmjetësimi me afat të papërcaktuar, i cili do të ketë në rend të ditës edhe bisedime me zotin Arafat në Ramallah, ku ky i fundit vazhdon të jetë i izoluar nga forcat izraelite, që mbajnë të rrethuar selinë e tij.

XS
SM
MD
LG