Lidhje

Kabul: arrestohen 7 vetë - 2002-04-13


Paqeruajtësit ndërkombëtarë që patrullojnë në kryeqytetin afgan zhvilluan mbrëmë një përleshje të rreptë me armë me një grup të madh personash të armatosur. Korrespondentja jonë, Alisha Ryu, njofton nga Kabuli se ky incident është i fundit në serinë e sulmeve ndaj paqeruajtësve gjatë këtyre javëve.

Forca Ndërkombëtare shumëkombëshe e Ndihmës për Sigurimin, që njihet me inicialet I-SAF, thotë se dy skuadra të paqeruajtësve britanikë u sulmuan në të njëjtën kohë ndërsa po patrullonin në sektorin jugperëndimor të Kabulit. Deri në 40 persona, të armatosur me automatikë AK-47, qëlluan të paktën 10 herë me breshëri, përpara se ushtarët t’i përgjigjeshin zjarrit dhe të kërkonin përforcime. Askush nuk është plagosur gjatë incidentit.

Paqeruajtësit kanë ndaluar 7 persona. Sulmuesit e tjerë u larguan me automjete. Të ndaluarit, 5 nga të cilët mbanin uniformat e reja të policisë afgane, u janë dorëzuar autoriteteve të ministrisë së brendshme.

Zëdhënësi i forcave paqeruajtëse, Neal Peckham, thotë se grupi i armatosur ishte më i madhi me të cilin janë ndeshur deri tani forcat ndërkombëtare që nga fillimi i patrullimin në qytet ditët e para të janarit. Ai theksoi se personat e armatosur dukeshin të nervozuar nga prania e ushtarëve të forcës shumëkombëshe.

“Kjo tregon për diçka të fshehtë, që tani për tani është e pranishme. Por 7 ndaluarit do të mirren në pyetje nga administrata e përkohshme dhe të shpresojmë, se do të sqarojnë nëse ka patur diçka, që, ne, fatkeqësisht, nuk na është treguar për ndonjë operacion të administratës së përkoshme apo në të vërtetë ata janë elementë të paligjshëm të cilët po kryenin në atë kohë një akt të dënueshëm."

Më parë gjatë këtij muaji, autoritetet në Kabul kanë arrestuar një numër të madh personash në kryeqytet lidhur me një komplot për të vrarë udhëheqësin e përkohshëm, Hamid Karzai, pa i informuar paqeruajtësit lidhur me operacionin. Por, po qe se të armatosurit nuk kanë lidhje me ndonjë operacion të qeverisë, thotë kolonel Peckham, ka shumë mundësi që personat të kenë qenë pjesë e një bande grabitësish, aktive gjatë këtyre javëve në Kabulin jugperëndimor.

Mbi paqeruajtësit është qëlluar disa herë gjatë patrullimit të tyre në këtë zonë. Incidenti i së premtës pason gjithashtu një tentativë sulmi me raketa ndaj një kompleksi të forcës ndërkombëtare mëngjesin e së djelës së kaluar, që mendohet të kishte si autorë ekstremistë që përpiqeshin të prishnin mbledhjen e këshillit fisnor Loya Jirga, i cili do të mblidhet në qershor për të zgjedhur një qeveri të re.

Kombet e Bashkuara kanë dërguar në Kabul një kontigjent prej 4 mijë e 800 forcash nën komandën britanike për të shtuar sigurinë në kryeqytet gjatë përgatitjeve të mbledhjes së Loya Jirg-as.

XS
SM
MD
LG