Lidhje

Takimi Powell-Arafat - 2002-04-13


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, do të takohet sot me udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat.

Zyrtarë amerikanë e bënë këtë njoftim disa orë pasi udhëheqësi palestineaz bëri një deklaratë në arabisht, në të cilën dënonte shpërthimin vetëvrasës të ditës së premte në Jeruzalem si edhe sulmet terroriste kundër civilëve në të dy anët e konfliktit izraelito-palestinez. Deklarata u lexua nga stacionet radiotelevizive palestineze.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, u tha gazetarëve se deklarata përmbante një numër elementesh interesante dhe pozitive, siç u shpreh ai. Zoti Boucher tha se sekretari Powell do të punojë me udhëheqësin palestinez për ta kthyer deklaratën e tij në vepra në mënyrë që t’u jept fund terrorit dhe dhunës në Lindjen e Mesme.

Izraeli e hodhi poshtë deklaratën e udhëheqësit palestinez si të pavlefshme. Një ndihmës i kryeministrit Sharon u tha gazetarëve në Jeruzalem se zoti Arafat ishte zyrtari më i lartë terrorist, siç u shpreh ai, që në një anë dënon dhunën, por nga ana tjetër e nxitë atë.

Ndërkohë, sekretari Powell u takua dje me zyrtarë ndërkombëtarë të ndihmave. Më pas ai bëri një deklaratë, ku shpreh shqetësim të thellë për gjendjen në kampin e refugjatëve në Xhenin dhe në zonat e tjera palestineze, të pushtuara nga Izraeli gjatë dy javëve të fundit. Zyrtarë amerikanë mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë midis deklaratës së sekretarit Powell dhe asaj nga zoti Arafat.

XS
SM
MD
LG