Lidhje

Kalendari Historik 17 prill - 2002-04-17


Më 17 prill 1961 mërgimtarë kubanë të stërvitur në Shtetet e Bashkuara pushtuan ishullin e tyre të vendlindjes në përpjekje për të përmbysur qeverinë komuniste të Fidel Kastros. Urdhërin e kishte dhënë presidenti i ri amerikan John Kennedy. Pushtimi i Gjirit të derrave, siç u quajt ky operacion, përfundoi pa sukses -- më se 100 mërgimtarë mbetën të vrarë dhe afro një mijë të tjerë u kapën dhe u burgosën. Megjithëse planet për këtë operacion kishin filluar që gjatë administratës së presidentit Eisenhower, presidenti Kennedy mori përsipër gjithë përgjegjësinë pë dështimin, pasi ai kishte miratuar zbatimin e planeve. Presidenti Kennedy miratoi më pas të dërgonte në Kubë pajisje bujqësore dhe furnizime mjeksore në shkëmbim për të burgosurit që u kapën gjatë operacionit. Ai ishte i pranishëm në një ceremoni mirëseardhjeje të organizuar për ta në Miami të Floridas.

Më 17 prill 1969 në Los Angeles të Kalifornisë, juria shpalli fajtor palestinezin Sirhan Bisharah për vrasjen e senatorit amerikan Robert Kenedy. Kenedi u qëllua më 5 qershor 1968, kur 25-vjeçari Sirhan e qëlloi atë në kokë, disa çaste pasi senatori demokrat kishte falenderuar simpatizantët për fitoren në zgjedhjet paraprake në Kaliforni. Senatori vdiq të nesërmen. Në gjyqin e Sirhanit, prokurorët e bazuan pjesën më të madhe të akuzës së tyre për vrasje me paramendim në një bllok shënimesh të gjetur në dhomën e të pandehurit. I akuzuari kishte shkurar se senatori Kennedy dhe të tjerët duhej të vdisnin. Sirhan tha se atij nuk i kujtohej atentati dhe se nuk kujtonte të kishte mbajtur shënime. Megjithatë ai shprehu urrejtje për Robert Kennedy-n sepse ky përkrahte Izraelin.

XS
SM
MD
LG