Lidhje

Intervistë me ambasadorin Butler - 2002-04-18


II: Zoti Ambasador, së shpejti ju do t’i paraqisni letrat-kredenciale presidentit të Maqedonisë Trajkovski. A mund të na thoni se cilat janë objektivat politike të SHBA në Maqedoni, me fjalë të tjera përse Maqedonia është e rëndësishme për SHBA?

LB: Shpresoj se të hënën paradite do të kem rastin t’i paraqes Presidentit Trajkovski letrat-kredenciale. Unë kam qenë në Maqedoni gjatë tre muajve të fundit, një përvojë e pazakontë për një ambasador që e ka bërë betimin vetëm dy ditë më parë dhe që i jepet rasti të punojë në këtë vend para se të marrë përsipër detyrën në tërësinë e saj. Maqedonia është me rëndësi për interesat kombëtare dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ajo është një vend që ze një hapësirë gjeografike jetike. Shumë maqedonas dhe shqiptarë kanë emigruar dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara me lidhje të forta farefisnore nga pikpamja etnike. Por ne kemi ende punë të pambaruar për sa i përket vendosjes së paqes, lirisë dhe të demokracisë në secilin vend të Ballkanit.

II: Zoti Ambasador, si po shkon procesi i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, a do të përfundojë puna me ligjet gjatë legjislaturës së tanishme?

LB: Procesi i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit ndoshta është zgjatur pak më shumë në kohë se sa do të kishim dashur ne. Por për mendimin tim, zbatimi është bërë më shpejt se sa mund ta kishte pritur çdokush. Marrëveshja e Ohrit përbën një projekt shumë realist dhe të arritshëm për realizimin e një paqeje dhe demokracie të qendrueshme dhe për të përhapur të drejtat civile te çdo njeri në vend. Paketa legjislative është realizuar pothuajse në gjysmën e saj. Pjesët kryesore të kësaj pakete, ndryshimet kushtetuese, ligji për vetqeverisjen i cili i shtrin kompetencat në nivel lokal tek qytetarët në një masë më të madhe se sa në Shtetet e Bashkuara, dhe ligji për amnistinë, një ligj shumë i gjerë i cili zhbllokoi në fakt aspektet teknike të zbatimit të marrëveshjes siç ishte kthimi i policisë që lejon mbajtjen e zgjedhjeve dhe numërimin e popullsisë. Pra kthimi i policisë ishte një kusht paraprak. Ka edhe një pjesë të konsiderueshme projekt-ligjesh më të vogla që ende nuk janë përfunduar por kryetari i parlamentit, kryeministri dhe udhëheqësit e partive na kanë siguruar se këto janë të arritshme para se parlamenti të shpërndahet për zgjedhjet e reja.

II: A mendoni se konflikti në linja etnike në Maqedoni ka kaluar tani në një konflikt midis vetë shqiptarëve, gjë që pati edhe manifestime të dhunshme kohët e fund?

LB: Është e qartë se konflikti ndëretnik i verës së kaluar në masën më të madhe është ndalur. Ai grusht njerëzish nga të dyja palët që mbështeteten tek dhuna qoftë për të penguar procesin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit apo që mendojnë se mund të fitojnë diçka duke përdorur armët, kanë marrë një mesazh shumë të qartë nga bashkëqytetarët e tyre, të cilët mendojnë se kësaj lloj dhune i ka kaluar koha. Shpërthimi i dhunës që ne pamë para disa javësh si në Reçicë të Vogël apo shkëmbimi i zjarrit në kafenenë Dora në Tetovë, të cilët deri në një fare mase mbeten të pashpjeguar, janë tepër për të ardhur keq. Mendoj se ato janë përjashtime dhe nuk do të përbëjnë një prirje në rritje. Megjithatë, tani e gjithë vemendja në Maqedoni është përqendruar te zgjedhjet e vjeshtës dhe unë mund të përfytyroj se partitë e ndryshme që veprojnë sipas linjave etnike do të fillojnë të konkurrojnë në përpjekje për të fituar sa më shumë vota në zgjedhje.

II: Cili është qendrimi juaj ndaj Këshillit Koordinues të Shqiptarëve i cili faktikisht drejtohet nga Ish-UÇK-ja?

LB: Ne po tregohemi të hapur ndaj Këshillit Koordinues. Ne e mbështesim me forcë pluralizmin në çdo demokraci. Nëse ky këshill do të mund të bashkojë partitë e ndryshme shqiptare, përfshirë personat e lidhur me luftimet e vesës së kaluar në një proces politik pa dhunë dhe në një mënyrë konstruktive, mendoj se ai do të kontribuonte për stabilitetin dhe do të të na ndihmonte ne të arrinim objektivat e përcaktuar në Ohër gushtin e kaluar.

II: Dhe së fundi një pyetje që lidhet me politikën. Cili është hobi juaj më i preferuar:

LB: Ajo që më pëlqen më shumë të bëj në kohën e lirë është të rri pranë familjes. Një gjë tjetër që më pëlqen shumë është të dal me këpucët e mija të reja të alpinizmit dhe të shëtis sa të mundem më këmbë për të shijuar natyrën e Maqedonisë, mundësisht të ngjitem deri në një mijë metra lartësi.

XS
SM
MD
LG