Lidhje

Gjykata e Hagës të akuzojë shqiptarin e parë nga Kosova - 2002-04-19


Kryeprokurorja e gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte, Carla del Ponte, tha se gjykata e Hagës, e cila deri tani është përqendruar në të dyshuar serbë, deri nga fundi i vitit mund të ngre padinë kundër shqiptarit të parë nga Kosova.

Zonja del Ponte tha se hetimet kanë filluar rreth tre rasteve lidhur me të dyshuar nga radhët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo nuk pranoi të jepte emrat e të dyshuarve, por tha se pret që padia e parë të ngrihetbrenda këtij viti.

Procesi hetimor ka të bëjë me sulmet hakmarrëse të vitit 1999 nga ana e shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë, pasi sulmet ajrore të Natos i dhanë fund fushatës jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës. UÇK-ja luftonte për pavarësinë e Kosovës nga Jugosllavia.

Zonja del Ponte i bëri këto komente dje, gjatë një vizte në Kosovë në përfundim të një turneu tri ditësh ballkanik, gjatë të cilit ushtroi trysni ndaj qeverive të Bosnjës dhe të Serbisë që të dorëzojnë në Hagë për gjykim presonat e akuzuar për krime lufte.

Turneu i saj përkoi me afatin që autoritetet jugosllave u kishin caktuar 23 personave të akuzuar për krime lufte për t’u dorëzuar. Të merkurën, Beogradi u dha të dyshuarve tri ditë afat që të dorëzoheshin ose për ndryshe ata do të arrestohen.

Një zëdhënës i qeverisë amerikane tha dje se Jugosllavia duhet t’i arrestojë personat e akuzuar për krime lufte dhe t’i transferojë ata në Gjykatën e hagës.

Në listën e të dyshuarve janë ish udhëheqësit e serbëve të Bosnjës të periudhës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Ratko Mlladiç si edhe presidentin aktual i Serbisë, Millan Millutinoviç.

XS
SM
MD
LG