Lidhje

Takimi Powell-Peres - 2002-04-19


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, dhe ministri i jashtëm izraelit, Shimon Peres, u takuan dje në Washington për të vlerësuar konfliktin izraelito palestinez dhe mënyrat për të ecur drejt paqes.

Pas takimit, dy kryediplomatët thanë se kishin shqyrtuar misionin e zotit Powell në Lindjen e Mesme dhe kishin diskutuar rreth mënyrave për të ecur përpara.

Zoto Powell tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i gatshëm t’u japë palestinezëve ndihmë financiare dhe të ndihmojë për fillimin e një procesi politik që do t’u jepte atyre shpresë. Ai tha se Washingtoni kërkon ekzistencën e një shteti palestinez në paqe për krah Izraelit.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se zoti Powell do t’i bëjë thirrje edhe Izraelit t’u japë leje punënjësve të ndihmave të hyjnë në kapin e refugjatëve në Xhenin.

Zoti Peres u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë që të harmonizojnë politikat e tyre ndaj Izraelit dhe palestinezëve.

Zoti Peres propozoi edhe lidhjen midis tre propozimeve për arritjen e paqes në rajon: thirrjen e Arabisë Saudite për paqe midis Izraelit dhe botës arabe nëse Izraeli tërhiqet nga të gjitha tokat e pushtuara në luftën e vitit 1967, thirrjen e Iraelit për një konferencë të paqes me pjesëmarrjen e të gjithë udhëheqësve të moderuar arabë si edhe parashikimin amerikan për paqe të shprehur nga sekretari Powell.

Ndërkohë, palestinezët kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga territoret palestineze dhe dërgimin e një force ndërkombëtare në Bregun Perëndimor për t’i ndarë të dyja palët e ndërlikuara në konflikt.

XS
SM
MD
LG