Lidhje

Burns viziton kampin Jenin - 2002-04-20


I dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, William Burns, e cilësoi gjendjen në kampin e shkatërruar të refugjatëve në Xhenin si “një tragjedi njerëzore.”

Ndihmës sekretari i shtetit tha se shkoi dje në kampin e refugjatëve për të shprehur shqetësimet e thella të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Burns i bëri thirrje Izraelit që t’u japë leje të pakufizuar agjencive të ndihmave në mënyrë që popullsisë civile në kamp t’i dërgohet ndihma e nevojshme. Edhe zyrtarë evropianë i kanë bërë Izraelit thirrje të ngjashme. I dërguari rus, Andrei Vdovin, shkoi dje në kamp dhe tha se nuk mund t’i kishte imagjinuar kurrë përmasat e shkatërrimit.

Izraeli i tërhoqi forcat nga kampi ditën e premte pas rreth dy javë luftimesh të ashpra.

Ndërkohë, zyrtarë izraelitë dhe palestinezë kanë premtuar të bashkëpunojnë me misionin e OKB-së që do të bëjë hetime rreth inkursionit izraelit.

Misioni do të shqyrtojë pohimet palestineze se janë masakruar qindra palestinezë. Izraeli thotë se ata që janë vrarë kanë qenë kryesisht luftëtarë të armatosur.

Zyrtarë izraelitë thonë se nuk kanë asgjë për të fshehur. Zyrtarë palestinezë e mirëpritën lajmin për misionin e OKB-së, por thanë se atje nevojitet edhe dislokimi i një forca ndërkombëtare për të mbrojtur civilët.

XS
SM
MD
LG