Lidhje

6 serbë do t’i dorëzohen Hagës - 2002-04-23


Autoritetet jugosllave thonë se 6 serbë të dyshuar për krime lufte kanë rënë dakord të dorëzohen vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Njoftimi u bë vetëm pak orë pas skadimit të afatit të vënë nga qeveria jugosllave për 23 persona të akuzuar për krime lufte, që ata t’i dorëzoheshin Gjykatës së Hagës.

Qeveria njoftoi se 6 personat që do të dorëzohen janë ish komandanti i forcave jugosllave në Kosovë, gjenerali Dragoljub Ojdaniç, ish ministri sërb i punëve të brëndshme, Nikola Sainoviç, Milan Martiç, udhëheqës i sërbëve të Kroacisë, si dhe Mile Mrksiç, Vladimir Kovaçeviç dhe Momçillo Gruban.

Në deklaratën e qeverisë thuhej se akt-paditë për 17 personat, që nuk kanë pranuar të dorëzohen, do tu jepen një gjykate të Beogradit nesër. Sipas një ligji të miratuar këtë muaj, autoritetet jugosllave dhe serbe kishin premtuar mbështetjen e tyre ndaj personave që do të dorëzoheshin vetë kur ata të kërkojnë lirim me kusht deri sa të fillojë gjykimi.

Lista e 23 personave e publikuar javën e kaluar nga autoritetet jugosllave përfshin emrat e ish udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe të ish shefit të tij të ushtrisë Ratko Mlladiç. Por asnjë prej të dyve nuk ka ofruar të dorëzohet.

XS
SM
MD
LG