Lidhje

Gjykata kushtetuese Çështja Rakipi të rishqyrtohet në parlament - 2002-04-25


Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

VENDOSI

Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.20 datë 19.03.2002 të Kuvendit të Shqipërisë dhe të dekretit nr.3276, datë 25.03.2002 të Presidentit të Republikës.

Dërgimin e cështjes për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i lexuar sot nga kryetari i gjykatës fehmi Abdiu ishte i pritshëm, nëse marrim parasysh interpretimin që Gjykata kushtetuese i bëri javën e shkuar rastev të shkarkimit te gjyqtarëve të gjykatës së lartë, asaj kushtetuese dhe prokurorit të përgjithshëm. Reagimet që e kanë paraprire kanë qenë shumë të ashpra jo vetëm nga opozita por edhe nga presidenti i republikës Rexhep Mejdani i cili është i përfshire direkt në këtë problem. Dilema kryesore ishte se si do të zgjidhej një situatë kur tashmë në postin e kryeprokurorit është emëruar një tjetër njeri.

Vendimi i sotëm, sipas shpjegimit që disa anëtarë të gjykatës kushtetuese i dhanë Zërit të Amerikës, nuk e rikthen zotin Rakipi në postin e tij. Ky vendim nuk është marrë me akuzat që parlamenti i ka drejtuar ish kryeprokurorit, por vetëm me procedurat e ndjekura për shkarkimin e tij të cilat janë konsideruar si të papajtueshme me kushtetutën. Pikërisht për këtë arsye gjykata ka kërkuar dërgimin e cështjes për rishqyrtim. Pra parlamentit, sipas anëtarëve të Gjykatës do t’i duhet të mblidhet edhe një herë, duke i dhënë mundësinë zotit Rakipi që të mbrohet e të njihet me akuzat që i janë bërë. Dhe më pas parlamenti mund të marrë vendim sërish për shkarkimin e tij. E gjithë kjo procedurë nuk cënon aspak pozitën e kryeprokurorit aktual Theodhori Sollaku. Ai do të prekej vetëm nëse parlamenti do të marrë një vendim të ndryshëm nga ai i pari Por e gjitha kjo situatë mund të ndërlikohet në varësi të qëndrimit që do të mbajë parlamenti. Opozita e ka kundërshtuar prerazi duke braktisur sot pasdite edhe seancën e parlamentit. Deputeti Sapratak Ngjela tha se është përgatitur kërkesa për shkrirjen e gjykatës kushtetuese, me anë të amendimit të kushtetutës.

Reagime të ndryshme nga shumica e majtë e cila nuk është nxituar të dalë me një qëndrim zyrtar. Kryetari i partisë ka thirrur mbledhjen e kryesisë ku do të merret në shqyrtim gjendja e krijuar. Por sipas kryetarit të komisionit të ligjeve socialistit Spartak Braho vendimi i gjykatës pavarësisht nga vlerësimet duhet të zbatohet

Nga ana e tij presidenti i republikës Rexhep Mejdani nuk ka reaguar ndaj vendimit të sotëm, gjë e cila bën të qartë se ai i mbahet qëndrimeve të shprehura pak ditë më parë. Presidenti Mejdani kishte lënë të kuptohej fare hapur se nuk do të njihte asnjë vendim tjetër përvec atij të parlamentit, pasi në cështjet që ka të bëjnë me lirimin apo emërimin e prokurorit të përgjithshëm, nuk mund të ndërhyje sipas tij asnjë institucion tjetër. Madje presidenti Mejdani shkoi më tej duke deklaruar se në asnjë rast ai nuk do të pranonte një rikthim të zotit Rakipi, ndërsa ka propozuar rishikimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG