Lidhje

Intervistë me zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Jeanette Bogue - 2002-04-26


Komentet e Zëvendës-Ndihmës-Sekretares Amerikane të Shtetit për Evropën Jeanette Bogue dhe kryetare e delegacionit amerikan në takimin e Grupit Miqtë e Shqipërisë dhënë koleges sonë Laura Konda:

VOA: Zonja Bogue, sipas pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara, cilat janë disa nga fushat më problematike për Shqipërinë, ku është e nevojshme që ajo të bëjë përparim në të ardhmen?

JB: Para së gjithash, të gjithë anëtarët e grupit Miqtë e Shqipërisë kishin përshtypjet më të mira për përparimet që Shqipëria ka bërë deri më tani dhe siç tha edhe ministrja juaj e jashtme, egziston një ndjenjë e fortë angazhimi dhe partneriteti midis Miqve të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare. Sigurisht, që anëtarë të ndryshëm të grupit kanë idera të ndryshme, por mendoj se të gjithë ishin të një mendimi, se donin të vazhdonin të punonin ngushtë me qeverinë shqiptare mbi çështje të tilla si hapat që duhet të ndërmerren kundër trafikimit, megjithëse në këtë fushë janë bërë përparime të dukshme, apo hapat për zhvillimin e ekonomisë. Mendoj se një nga rezultatet më pozitive të takimit ishte vendosmëria e shprehur nga ata anëtarë të grupit që janë donatorë të Shqipërisë dhe që punojnë me Shqipërinë mbi projekte të caktuara, që të bashkrendojnë më mirë veprimet me njeri tjetrin dhe me qeverinë shqiptare për t’u siguruar që të gjitha përpjekjet tona, pavarësisht se në çfarë drejtimi bëhen, të jenë të bashkërenduara mirë, me qëllim që të mos kemi dublime përpjekjesh, apo veprime që nuk përputhen me njëri-tjetrin. Për ne konkluzioni kryesor i takimit ishte që të gjitha vendet donatore duhet të organizojnë veprimtarinë e tyre me qeverinë e Shqipërisë për të bashkërenduar më mirë përpjekjet dhe për të punuar si partner me qeverinë e Shqipërisë për arritje më të larta.

VOA: Në të kaluarën, qeveritarët shqiptarë kanë shprehur publikisht përkushtimin e tyre për t’i dhënë zgjidhje këtyre problemeve e megjithatë, këto deklarata publike nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. A mendojnë Shtetet e Bashkuara se qeveria Majko ka aftësinë dhe përkushtimin e duhur për zbatimin e kerkesave të miqve të Shqipërisë?

JB: Në fakt, ne e shikojmë qeverinë e Shqipërisë nga një pikëpamje më e gjerë se sa ajo e një administrate të njërit apo tjetrit individ. Shtetet e Bashkuara shohin tek qeveria shqiptare një partner të mrekullueshëm, ashtu siç kanë qenë edhe disa nga qeveritë e mëparshme të saj, për çështje të tilla si lufta kundër terrorizmit, nismat kundër trafikimit, mbështetjet për edukim dhe zhvillim ekonomik. Në të gjitha këto çështje ne jemi partnerë me qeverinë e Shqipërisë, dhe për këtë arsye për ne nuk është e rëndësishme nëse punojmë me një qeveri të caktuar, apo një tjetër. Në takimin e miqve të Shqipërisë nuk u bë asnjë përpjekje për të vlerësuar ndonjë qeveri të caktuar dhe se si kjo qeveri do të punonte në arritjen e qëllimeve të të gjithë organizatës, qëllime që janë pranuar nga qeveria e Shqipërisë. Përfaqësues të qeverisë në atë takim u angazhuan për përparime të mëtejshme në realizimin e këtyre qellimeve. Mendoj se të gjithë anëtarët e grupit Miqtë e Shqipërisë duan të punojnë me qeverinë shqiptare për arritjen e këtyre qëllimeve. Qeveria është e angazhuar publikisht në këtë drejtim, grupi Miqtë e Shqipërisë është i angazhuar për të ndihmuar dhe për të qenë partner me qeverinë shqiptare. Pikërisht ky është drejtimi në të cilin duhet të punojmë, të sigurohemi që partneriteti funksionon dhe se punojmë së bashku për të ecur përpara. Të gjitha këto janë shumë të vështira dhe nuk përbëjnë problem vetëm për Shqipërinë. Për shembull çështja e trafikimit ndikon gjithashtu mbi një numër shtetesh të tjera, prandaj duhet të punojmë së bashku. Ky ishte një nga përfundimet e miqve të Shqipërisë, që të gjithë duhet të punojnë së bashku mbi këto çështje dhe jo thjesht t’ia lëmë në ngarkim ndonjë qeverie të caktuar të Shqipërisë.

VOA: Pas konferencës së Vienës, ju ishit për një vizitë në Kosovë. Si do ta vlerësonit situatën e përgjithshme në Kosovë dhe funksionimin e qeverisë së re?

JB: Për herë të fundit isha në Kosovë në shtator, para zgjedhjeve për qeverinë e re, para se ajo të fillonte detyrën e saj. Prandaj doja të shkoja atje përsëri, të bisedoja me udhëheqjen e re, dhe të shihja se si po u ecnin punët. Në ato takime vura re energji dhe optimizëm të madh. Mendoj se njerëzit janë të entuziazmuar rreth institucioneve të përkohshme vet qeverisëse. Ato janë shumë të reja, sapo kanë filluar të funksionojnë. Ata kanë shumë punë për të bërë, ndërsa po mësojnë si të veprojnë si institucione vet qeverisëse. Pra është pak herët për të thënë se si po punojnë. Por në takimet me udhëheqjen vura re një entuziazëm të madh rreth institucioneve të reja dhe njerëzit e shohin këtë si një mundësi të vërtetë për përparimin e demokracisë, dhe për tu siguruar shërbime qeveritare të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha grupeve etnike. Kam përshtypjet më të mira nga takimet me presidentin Rugova, kryeministrin Rexhepi, kryetarin e Parlamentit, zoti Daci. Më bëri shumë përshtypje vendosmëria e tyre për të ardhmen e një Kosove shumë etnike, me tolerancë ndër-etnike, dhe për të punuar me të gjitha komunitetet. I inkurajova duke u thënë se gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një qeveri e re është thjesht që të fillojë të veprojë menjëherë ndërkohë që institucionet dhe ministritë fillojnë të kryejnë punën e tyre, që ajo t’u përgjigjet nevojave të njerëzve, dhe gjithashtu t’u tregojë atyre se janë të angazhuar ndaj të gjithë popullit të Kosovës, pavarësisht nga origjina apo përkatësia etnike. Jam shumë e lumtur që vajta përsëri në Kosovë dhe të shihja se sa shumë kishte ndryshuar atmosfera që nga vizita ime e fundit atje në shtator.

XS
SM
MD
LG