Lidhje

Rumsfeld largohet nga Afganistani - 2002-04-27


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i dha fund vizitës dy ditëshe në Afganistan, duke premtuar ta ndihmojë Kabulin në ngritjen e ushtrisë kombëtare dhe të vazhdojë luftën kundër mbeturinave talbane dhe të al-Kaidës.

Zoti Rumsfeld zhvilloi dje bisedime me udhëheqësin e përkohshëm afgan, Hamid Karzai, rreth propozimeve për krijimin e një force kufitare, të forcës policore dhe për ngritjen e ushtrisë kombëtare. Mirëpo, ai thotë se kjo nuk është një punë e lehtë.

Sekretari Rumsfeld vizitoi qindra trupa amerikane dhe ato nga vende të tjera të koalicionit jashtë Kabulit, duke demonstruar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur gueriljet e ish regjimit taleban si edhe terroristë të al-Kaidës që mbajnë përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit.

Mirëpo, ai nuk pranoi të komentonte mbi njoftimet e lajmeve se forcat amerikane janë dërguar në Pakistan për të ndjekur mbeturina të këtyre dy grupeve.

Vizita e zotit Rumsfeld pasoi një alarm në Kabul, pas një sulmi me raketa kundër aeroportit. Nuk ka pasur njoftime për viktima apo për dëme.

Luftime fraksionale shpërthyen përsëri në qytetin lindor Gardez, ku njoftohet për 15 të vrarë dhe 75 të plagosur.

Ndalesa e fundit e sekretari Rumasfeld para se të nisej dje vonë për në Turkmenistan, ishte një takim i shkurtër me guvernatorin e krahinës Herat, Ismail Khan.

Zoti Khan ka lidhje të ngushta me Iranin. Ai dhe Teherani kanë hedhur poshtë akuzat amerikane se po përpiqen të minojnë qeverinë e përkohshme afgane ose të lejojnë luftëtarët talebanë dhe të al-Kaidës të ikin nga Afganistani.

Pritet që sekretari Rumsfeld të mbërrijë nesër në Moskë për bisedime me zyrtarë rusë.

XS
SM
MD
LG