Lidhje

Bisedimet Rusi-SHBA për pakësimin e armëve - 2002-05-01


Presidenti Bush tha se shpreson që negociatorët të arrijnë një marrëveshje me Rusinë për pakësimin e armëve bërthamore para se ai të takohet këtë muaj në Moskë me presidentin rus, Vladimirt Putin.

Presidenti Bush u tha dje gazetarëve në vendpushimnin presidencial Kamp David se ka mbetur shumë punë për t’u bërë dhe se zyrtarë amerikanë e rusë po i kushtojnë kësaj çështjeje vëmendje të madhe.

Po dje, presidenti Bush u takua në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm rus, Igor Ivanov, i cili tha se ka shumë mundësi që marrëveshja të jetë gati për takimin e nivelit të lartë të 23 majit.

Edhe Sekretari i Shtetit, Colin Powell, u takua me zotin Ivanov dhe tha më pas se ishte inkurajuar por jo bindur se marrëveshja do të jetë gati për takimin Bush-Putin. Ai shtoi se bisedimet midis dy palëve do të vazhdojnë.

Presidenti Bush dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, shpresojnë t’i shkurtojnë arsenalet bërthamore të të dyja vendeve nga 6 mijë mbushje bërthamore në midis 1 mijë e 700 dhe 2 mijë mbushjeve bërthamore secili.

XS
SM
MD
LG