Lidhje

Intervistë me ekspertin ligjor Scott Carlson - 2002-05-07


Drejtori për Evropën Lindore e Qendrore në Qendrën për Nisma Ligjore, Scott Carlson komenton mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

VOA: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri u kritikua si nga presidenti edhe nga kryetari i parlamentit i cili dha edhe dorëheqjen në shenjë proteste. Ju e njihni mire Kushtetutën e Shqipërisë, keni punuar në grupin e hartimit të saj. A ishte ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me kompetencat që i jep asaj Kushtetuta?

S.C.: Me dy vendimet e fundit, 75 dhe 76, Gjykata Kushtetuese po afirmon veten si një mbrojtëse e fortë e kushtetutës. Dhe ka disa nene të kushtetutës që i mbështesin ata. Por më duket se çështjet janë më të ndërlikuara nga sa i ka trajtuar ato shtypi. Në se i hidhet një sy opinionit të pakicës në vendim, të atyre që ishin kundër vendimit, duket se në Shqipëri ka një debat ligjor mbi juridiksionin e kësaj gjykate. Dhe kjo është një çështje që u takon ta vendosin autoritetet shqiptare. Mendimi im është se përfundimi i këtij debati do të jetë i rëndësishëm. Me dy vendimet e fundit duket se Gjykata Kushtetuese po pohon kompetencat e saj, pak a shumë e ngjashme me atë që ndodh me Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë. Nga ana tjetër kritikët thonë se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të veprojë kështu. Kritikët janë më tepër për variantin francez të Gjykatës Kushtetuese. Pra ky është një moment kritik që do të përcaktojë të ardhmen dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

VOA: Çfarë ndikimi do të ketë mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, vendimi por edhe debati që po bëhet mbi të?

S.C.: Në se fitojnë ata që janë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, roli i kësaj gjykate do të kufizohej si përsa i përket mbrojtes së kushtetutës ashtu dhe marrjes përsipër të disa rasteve për shqyrtim. Kjo mund të krijojë një boshllëk dhe do t’u duhet Gjykatave të nivelit më të ulët për ta mbushur.

VOA: Në Shqipëri një pjesë e kritikëve shkojnë edhe më tej, madje thonë se Gjykata Kushtetuese duhet shkrirë pasi vendi nuk ka nevojë për dy gjykata, një të Lartë dhe një Kushtetuese? A ka vërtetë vendi nevojë për të dyja Gjykatat?

S.C.: Kjo është një çështje interesante që u trajtua edhe kur po hartohej Kushtetuta. Edhe atëhere kishte njerëz që kërkonin një sistem gjyqësor të unifikuar, që do të merrej edhe me kushtetuetshmërinë e rasteve. Ky është modeli që kemi ne në Amerikë. Këtu tek ne, ky sistem ka qënë shumë i efektshëm për të siguruar respektimin e shtetit ligjor, por nga ana tjetër edhe Gjermania e pasluftës ka bërë një punë të shkëlqyer për krijimin e një shteti të bazuar tek ligjet. Dhe nuk besoj se ka ndonjë ekspert ligjor që mund ta verë në dyshim faktin se Gjykata Kushtetuese ka qënë një nga aktoret kryesore që ka ndikuar në krijimin e këtij shteti ligjor në Gjermaninë e pas luftës. Pra me pak fjalë, nuk ka një formulë magjike. Shqipëria duhet ta vendosë vetë se cfarë modeli do të ndjekë dhe të qëndrojë me këtë model e të përpiqet ta bëjë atë të suksesshëm. Për momentin Shqipëria ka vendosur të ketë një sistem me dy gjykata, një kushtetuese dhe një të lartë.

VOA: Meqë Shqipëria ka vendosur, të paktën për tani të ketë dy gjykata, po shikojmë që Gjykata Kushtetuese po sulmohet shumë ashpër nga kritikët e saj. A kemi të bëjmë këtu me një debat ligjor, me parime, në se vendi ka apo jo nevojë për dy gjykata, apo kemi të bëjmë me atë që shprehin shumë kritikë të Shqipërisë, që vendi nuk ka respekt për institucionet.

S.C.: Më duket se ka të bëjë më shumë me të dytën. Kur lexoj gazetat, ajo që bie në sy eshte lufta personale. Shoh shumë pak debat mbi parimet, për të cilat folët ju. Kjo vjen nga që Shqipëria ka shumë pak përvojë me demokracinë. Është ende në fazat e para. Edhe në vende si Amerika, është dashur shumë kohë për funksionimin e disa gjerave. Por ajo që bie në sy në Shqipëri, dhe me duket këtu e kishte synimin edhe pyetja, është prirja, se kur kërkohet shkarkimi i dikujt, gjithë vëmendja përqëndrohet tek personi, ai akuzohet si i korruptuar ose kriminel, por jepen pak shjegime për akuzat. Dhe në se shikohet me imtësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai flet pikërisht për nevojen e ndjekjes se një procesi të drejtë dhe për shqyrtimin e bazës së akuzave. Le te marrim si shembull rastin ndaj presidentit Klinton në Amerikë per shkarkimin e tij nga kongresi. Hetimet ndaj tij vazhduan disa vjet dhe pastaj për disa muaj parlamenti ynë, pra kongresi, u morr me ditë të tëra për të shqyrtuar rezultatet e hetimeve për të përcaktuar në se ishte apo jo e përshtatshme për ta shkarkuar dhe në fund të debatit, publiku dhe politikanët arritën në përfundimin se akuzat nuk duhet të çonin në largimin e tij nga detyra, megjithëse ai mund të kishte bërë gabime. Pra kur shoh sot gjendjen në Shqipëri, më duket se politikanët nuk tregojnë durim për të menduar për akuzat. Ne rastin konkret, me Prokurorin e Përgjithshëm në Shqipëri, pyetja që të lind është: si do të reagoja unë këtu në Amerikë, në se prokurorit tonë të përgjithshëm do t’i bëhej një paralajmërim 24 orësh se mund ta shkarkonin, pa qenë e qartë se cilat ishin arësyet e shkarkimit, pa një hetim të zgjeruar, pa nje debat publik per hetimin. Kjo mua do të më shqetësonte. Shumica e amerikanëve do të shqetësoheshin. Por kjo vjen nga përvoja dhe prandaj ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë.

VOA: Faleminderit

XS
SM
MD
LG