Lidhje

Parlamenti i Kosovës diskuton çështjen e Mitrovicës dhe kufijëve - 2002-05-09


Sesioni i sotëm i Parlamentit të Kosovës ka shënuar një pikë kthese në muajin e mjaltit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Michael Steiner.

Cështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe e kufijve të Kosovës që u diskutua për tri orë me radhë vuri në plan të parë përplasjet ndërmjet përgjegjësive te shefit të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. Zoti Steiner shënoi fundin e diskutimeve duke u përkujtuar deputetëve se cështjet e sigurise janë të drejta të rezervuara për të me Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe se deputetët mund të debatojnë, por nuk mund të sjellin vendime për këto cështje. Ai tha se cështja e kufirit me Maqedoninë është punë e kryer dhe se tash mund të punohet në zgjidhjen e problemeve praktike.

Ndërsa duke e cilësuar formacionin serb “Rojat e Urës” në Mitrovicë si një “bandë të urës” ai u zotua se Kosova do të jetë e pandashme. Zoti Steiner nënvizoi se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës sikurse që nuk do të ketë kthim në status-quo-në e vitit 1999. Ai u përkujtoi deputetëve përvojën e vendit të tij (Gjermanisë) që siq tha, “punoi për 40 vjet për t’u bashkuar”. Por bashkimi i Mitrovicës do të ndodhë shumë më shpejtë tha zoti Steiner duke i vlersuar si të drejta dhe dinjitoze shqetësimet dhe qëndrimet e deputetëve të Parlamentit. Tërë debati i sotëm kaloi në shenjë të përgjegjësive të përcaktuara nga Korniza Kushtetuese e Kosovës. Kryetari i Parlamentit Nexhat Daci tha se deputetët kanë para vetes dy sfida të rëndësishme. “Është përgjegjësia jonë historike që të mos e zhgënjejmë elektoratin tonë të cmuar që pagoi cmimin enorm të madh për clirimin e Kosovës, por edhe barrë e rëndë që ta respektojmë dhe ruajmë bashkësinë ndërkombëtare në kursin e lundrimit të anijes kosovare në drejtim të integrimeve rajonale, evropiane dhe veriatlantike”, tha zoti Daci.

Njëri pas tjetrit përfaqësuesit e grupeve parlamentare kritikuan UNMIK-un për mospërmbushje të detyrimeve për ruajtjen e tërësisë tokësore të Kosovës. Në këtë kuadër përfaqësuesi i AAK-së Bujar Dugolli i paraqiti Parlamentit një propozim Rezolutë për paprekshmërinë e kësaj tërësie. “Tërësia e tokës së Kosovës është një dhe e pandarë, është e të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë e saj janë të barabartë në secilën pjesë të saj. Tërësia e Kosovës është e garantuar me aktet më të larta juridike e kushtetuese të KS të OKB-së, të NATO-s e të Kosovës dhe nuk mund të ndryshohet pa vendimin e Kuvendit të Kosovës…” thuhet mes tjerash në propozimin e AAK-së. Ndërkaq përfaqësuesi i kolaicionit të serbëve “Kthimi”, Oliver Ivanoviq, tha se cështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës nuk mund të trajtohet si një problem i izoluar. “Mitrovica është pjesë e një morie problemesh që mund të injorohen vetëm nëse mbyllen sytë”, tha Oliver Ivanoviq duke ngritur cështjen e gjendjes së rëndë të pakicave kombëtare posaqërisht të pjestarëve të komunitetit serb. Sidoqoftë sesioni i sotëm përfundoi pa ndonjë dokument të vecantë ndërsa debatet pritet të vazhdojnë në sesionin e ardhshëm më 16 maj.

Ndërkohë, derisa Parlamenti po përfundonte punimet, të paktën dy persona u arrestuan në një incident që shpërtheu ndërmjet forcave të policies dhe disa qindra studentëve që po protestonin në mbështetje të kërkesave të deputetëve të Kosovës. Policia përdori shkopinjtë e gomës për të shpërndarë grupet e zemëruara të protestuesve që kundërshtuan arrestimin e njërit nga udhëheqësit e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG