Lidhje

Petritsch kërkon mbështetje për kthimin e refugjatëve boshnjak - 2002-05-09


Ndërmjetësi i lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Wolfgang Petritsch, i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë aktivisht rikthimin e refugjatëve në këtë vend të Ballkanit. Zoti Petritsch tha se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë dështimin e procesit për shkak të mungesës së veprimit në një kohë kur kushtet politike ekzistojnë dhe në fakt refugjatët kanë filluar të kthehen. Ai i bëri këto komente në Vienë në fjalimin e tij të fundit në Organizatën për sigurimin dhe bashkëpunimin në Evropë para largimit të tij nga ky post. Ndërmjetësi njoftoi përparim të madh në procesin e kthimit të refugjatëve gjatë tre viteve të fundit duke theksuar se kthimi vjetor është rritur me 25 mijë refugjatë vitin e kaluar duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 97 mijë. Por ai paralajmëroi se refugjatët që kthehen ndeshen me mungesa financiare dhe materiale për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Gati 2 milion njerëz u detyruan të linin shtëpitë e tyre gjatë konfliktit boshnjak. Zoti Petritsch lavdëroi gjithashtu përparimin politik të arritur në Bosnje vitet e fundit. Ai tha se pas gjashtë fushatave zgjedhore të mbikqyrura e të organizuara nga OSBEja që nga përfundimi i luftimeve në Bosnje në vitin 1995, autoritetet lokale do të organizojnë vetë zgjedhjet e këtij viti. Ai e quajti këtë një arritje të madhe në demokratizimin dhe zhvillimin e shtetit boshnjak. Por ai theksoi gjithashtu nevojën e përfundimit të reformës në sistemin juridik në mënyrë që në vend të hedhin rrënjë shteti juridik dhe demokracia. Ish udhëheqësi i partisë social demokrate të Britanisë, Paddy Ashdown zëvendëson zotin Pertitsch këtë muaj.

XS
SM
MD
LG