Lidhje

Demonstratë në Tel Aviv - 2002-05-12


Më shumë se 50 mijë izraelitë dolën dje nëpër rrugët e Tel Avivit për t’i bërë thirrje Izraelit që t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze.

Tubimi u organizua në sheshin Rabin nga lëvizja Paqe Tani, e cila e cilësoi atë si demonstratën më të madhe të paqes në Izrael që nga shpërthimi i kryengritjes palestineze në shtator të vitit 2 mijë.

Politikanë të krahut të majtë dhe artistë mbajtën fjalime, në të cilat i bënë thirrje qeverisë izraelite të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve hebraike në territoret e pushtuara dhe të kthehet brenda kufijve izraelitë të vitit 1967 .

Yossi Sarid, udhëheqësi i Partisë opozitare Meretz, i tha agjencisë franceze të lajmeve se tubimi duhet t’ia bëjë të qartë kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, se në Izrael nuk ekziston një koncensus për operacionin e planifikuar ushtarak në Rripin e Gazës.

Forca izraelite janë grumbulluar në afërsi të Rripit të Gazës, por Radio Izraeli njofton se kryeministri Sharon dhe ministri i Mbrojtjes, Binyamin Ben-Eliezer, vendosën ta shtynin operacionin për shkak se rrjedhja e të dhënave rreth planeve u dha mundësinë ekstremistëve të kërkuar të fshihen.

Zyrtarë palestinezë e kanë mirëpritur lajmin për shtyrjen e operacionit ushtarak.

Një inkursion izraelit në Rripin e Gazës është pritur që nga shpërthimi vetëvrasës palestinez që shkaktoi vdekjen e 15 izraelitëve në afërsi të Tel Avivit, ditën e martë. Ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres, i tha dje rrjetit televiziv CNN se veprimet ushtarake izraelite në territoret palestineze kanë për synim parandalimin e veprimeve terroriste dhe jo pushetimin e qyteteve palestineze.

XS
SM
MD
LG