Lidhje

Pezullohet operacioni ushtarak në Gaza - 2002-05-13


Ushtria izraelite filloi të dërgojë në shtëpi disa nga rezervistët që ishin mobilizuan për ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Binyamin Ben-Elizer, i tha dje rrjetit televiziv CNN se operacioni është shtyrë, por Izraeli rezervon të drejtën t’i përgjigjet çdo sulmi palestinez.

Banorët e Rripit të Gazës kanë filluar të përgatiten për një sulm ushtarak izraelit që nga shpërthimi vetvrasës i javës së kaluar në jug të Tel Avivit, ku humbën jetën 15 izraelitë dhe vetë autori i sulmit.

Mirëpo, burime ushtarake izraelite thonë se komandantët ishin të shqetësuar rreth mundësisë së viktimave në radhët e civilëve në Rripin e Gazës me popullatë të dendur si edhe rreth njoftimeve të shtypit lidhur me operacionet që zhduku elementin e befasisë.

Mjetet izraelite të informimit njoftojnë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara i bënë trysni Izraelit që ta anullonte operacionin.

Duke konfirmuar se operacioni ishte pezulluar, ninistri izraelit i Mbrojtjes, Binyamin Ben-Eliezer, tha se fillimisht duhen bërë të gjitha përpjekjet për të parë nëse palestinezët janë të gatshëm të kthehen në rrugën e bisedimeve paqesore.

Ndërkaq, në Bethlehem u tha mesha e parë e të djeles në Kishën e Lindjes së Krishtit, ku të premten përfundoi rrethimi 39 ditësh. Të krishterët, shumica banorë vendas, kënduan himne në shërbesat e posaçme.

Në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë shprehu kënaqësi dhe falenderoi nga zemra të gjithë ata që ndihmuan për t’i rikthyer këtij objekti të shenjtë identitetin e tij të vërtetë fetar.

XS
SM
MD
LG