Lidhje

Sulmet terroriste janë vetëm çështje kohe - 2002-05-16


Nën-presidenti amerikan, Dick Cheney, tha se është thuajse i sigurt që do të kryhet edhe një sulm tjetër nga terroristët e al-Kaidës.

Zoti Cheney tha dje se ndërmarrja e sulmeve është vetëm çështje kohe, dhe jo nëse do të kryhen apo jo, pasi është e pamundur të ngrihet një mbrojtje 100 përqind e efektshme. Nën-presidenti tha se nuk mendon që terroristët kanë armë bërthamore, pasi, sipas tij, ata do t’i kishin përdorur ato. Mirëpo, ai shtoi se shpërthimet vetëvrasëse në Amerikë janë një mundësi reale.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit kanë njoftuar se kohët e fundit kanë kapur mesazhe që lënë të kuptohet se rrjeti i Osama bin Ladenit po planifikon sulme të tjera kundër interesave amerikane, përfshirë ndërtesa apartamentesh në qytetet amerikane. Zyrtarë të zbulimit thonë se informacioni është i besueshëm, por jo specifik.

Këshilltarja e presidentit Bush për çështje të sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice, u tha gazetarëve se informacioni është i ngjashëm përsa i përket tonit me ato të kapura para sulmeve të vitit të kaluar në New York dhe Washington. Mirëpo, zonja Rice tha se Shtetet e Bashkuara janë tani në një nivel shumë më të lartë gatishmërie se sa ishin më 11 shtator, si rrjedhin i natyrës së informacionit të kapur. Ajo nuk dha hollësi të tjera.

Nën-presidenti Cheney dhe zonja Rice i bënë këto komente dje në programe televizive në përpjekje për të mbrojtur mënyrën se si administrata e presidentit Bush përdori informacionin e zbulimit para sulmeve të 11 shtatorit.

Zoti Cheney tha se Shtëpia e Bardhë do të mirëpriste një proces hetimor nga ana e Kongresit lidhur me mangësitë e shërbimit të zbulimit para sulmeve terroriste, por paralajmëron me forcë se hetimi duhet të bëhet në një mënyrë që mbron dhe ruan sigurinë e vendit dhe procesin e mbledhjes së informacionit të zbulimit.

XS
SM
MD
LG