Lidhje

Vdes ambasadori amerikan Limprecht - 2002-05-19


Në Shqipëri pritet që nesër të zhvillohet një ceremoni publike në kujtim të ambasadorit amerikan në Tiranë Joseph Limprecht i cili u nda nga jeta dje pasdite pas një një ataku të fortë kardiak.

Ambasadori Limprecht ndodhej në bjeshkët e Lurës, gjatë një turi në veri të Shqipërisë. Trupi i tij u transportua dje në mbrëmje në Tiranë. Autoritetet më të lartë të shtetit dhe politikë shqiptare shprehën dje hidhërimin e thellë për vdekjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara.

Një ceremoni zyrtare në kujtim të ambasadorit amerikan Joseph Limprecht pritet të zhvillohet ditën e nesërme. Detajet e organizimit, me të cilat po merret ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, nuk janë përcaktuar ende. Por përpara se trupi i zotit Limprecht të transprotohet për në atdheun e tij, ai do të nderohet edhe në Tiranë, ku zhvilloi aktivitetin e tij diplomatik për afër tre vjet.

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare, presidenti i republikës Rexhep Mejdani, kryeministri Pandeli Majko ministra dhe kryetarë të partive, shprehën dje keqardhjen e thellë për vdekjen e papritur të ambasadorit Limprecht. Nga të gjithë ai është cilësuar si një mik i shquar i Shqipërisë dhe si një personalitet i cili me angazhimin e tij jo vetëm në jetën politike, ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënive mes dy vendeve dhe në një përkrahje më të madhe ndërkombëtare ndaj Shqipërisë.

Kryeministri Pandeli Majko, së bashku me ministrin e Shëndetësisë shkuan dje pasdite në Lurë pasi i njoftuan për gjendjen e rëndë shëndetësore të zotit Limprecht. Ambasadori amerikan pësoi një atak të fortë kardiak. Nga Tirana iu ofrua ndihma e shpejtë mjekësore. Me helikopterë u dërgua mjeku i ambasadës dhe më pas dy ekipe mjekësh shqiptarë. Helikopterë të tjerë përfshi këtu edhe ato të trupave të Natos në Shqipëri u dërguan për ndihmë por gjendja e rënduar shëndetësore e bënte të pamundur lëvizjen apo transportimin e tij, drejt Tiranës apo qoftë edhe jashtë vendit. Përpjekjet e shumta mjekësore nuk mundën ta shpëtonin dot. Rreth orës 16.00 ambasadori Josep Limprecht u nda nga jeta.

Zoti Limprecht ishte në fund të mandatit të tij diplomatik tre vjecar në Shqipëri, mandat i cili pritej të mbyllej pas tre muajsh.

XS
SM
MD
LG