Lidhje

Shqiperia-partnere aktive në luftën  kundër terrorizmit - 2002-05-23


Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara vendet evropiane, përfshirë Shqipërinë reaguan në mënyrë dramatike, duke ofruar ndihmë të menjëhershme në shumë fronte, fillimisht për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Fushata për zhdukjen e terrorizmit zhvillohet me vendosmëri dhe durim në shumë fronte. Megjithatë, kërcënimet terroriste vazhdojnë. Vazhdojnë edhe paralajmërimet nga ana e qeverisë amerikane për mundësinë e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të tjera të botës. Në të njëjtën kohë, vazhdojnë edhe thirrjet e qeverisë amerikane për bashkëpunim në luftën kundër terrorit.

Në një raport të zyrës së bashkërenduesit të luftës kundër terrorizmit pranë Departamentit amerikan të Shtetit mbi prirjet e terrorizmit global, thuhet se Shqipëria vazhdon të jetë një partnere aktive në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke premtuar çfardo lloj ndihme të mundshme për përpjekjet amerikane. Udhëheqësit qeveritarë dhe politikë dënuan menjëherë sulmet terroriste të 11 shtatorit. Qeveria shqiptare i dha leje Natos të përdor aeroportet dhe portet detare për njësitë pjesëmarrëse në operacionin Mbrojtja e Lirisë si edhe për forcat speciale.

Përveç këtyre, parlamenti shqiptar u bëri thirrje të gjitha bankave shqiptare që të identifikojnë llogaritë bankare të individëve të dyshuar se kanë lidhje me terroristët dhe të parandalojnë tërheqjen apo transferimin e fondeve. Gjykatat shqiptare kanë bllokuar tashmë pasuritë e përkrahësve të al-Kaidës. Ministria shqiptare e Financave po punon për ashpërsimin e legjislacionit kundër pastrimit të parave.

Organizata të ndryshme jo qeveritare me seli në Lindjen e Mesme që janë identifikuar si përkrahëse të veprimtarive terroriste, vazhduan të vepronin në Shqipëri. Disa prej organizatave jo qeveritare vazhduan t’u japin ndihmë ekstremistëve myslimanë në mbarë rajonin, përfshirë sigurimin e dokumenteve të rreme dhe lehtësimeve në udhëtim. Mirëpo, nga fillimi i tetorit, autoritetet shqiptare bastisën njëherësh qendrat e katër organizatave islamike jo qeveritare në Tiranë, që mendohej se ishin të ndërlikuara në ekstremismin islamik ndërkombëtar, ndaluan dhe morën në pyetje udhëheqësit e tyre kryesorë, të cilët më pas i dëbuan nga vendi së bashku me familjet e tyre, duke ua dorëzuar autoriteteve policore të vendeve të tyre përkatëse.

Që nga fundi i tetorit dhe deri në fillim të dhjetorit, autoritetet shqiptare kryen edhe tri bastisje të tjera, dy dy ndaj organizatave jo qeveritare islamike të dyshuara se mbështesin veprimtari ekstremiste dhe një ndaj selisë në Tiranë të një njësie afariste, pronë e një personi që dyshohej si përkrahës i al-Kaidës, i cili përfshihej në listën e Departamentit amerikan të Thesarit. Qeveria shqiptare i ndaloi dhe i mori në pyetje drejtuesit e këtyre organizatave.

Në raport theksohet se Shqipëra vazhdon të bashkëpunojë nga afër me përpjekjet amerikane kundër terrorizmit në disa nivele. Mirëpo, mungesa e ndjeshme e sigurimit përgjatë kufijve, korrupsioni, krimi i organizuar dhe dëbësitë e theksuara institucionale, e bëjnë territorin shqiptar tërheqës për shfrytëzim nga ana e grupeve terroriste dhe ekstremiste islamike.

Në raport flitet edhe për trojet shiqptare jashtë Shqipërisë. Në të vihet në dukje se gjatë vitit 1999, shqiptarët kanë ndërmarrë sulme kundër forcave qeveritare në Serbinë jugore dhe në Maqedoni. E ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila u shpërbë në muajin korrik, merrte ndihma financiare jo vetëm nga burime në Maqedoni, por edhe nga Kosova e gjetiu. UÇK-ja dhe Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kishin lidhje të forta me organizatat politike në Kosovë. Edhe grupe të tjera ekstremiste shqiptare, si Ushtria Kombëtare Shqiptare dhe Komiteti Kombëtar për Çlirimin dhe Mbrojtjen e trojeve shqiptare, kërcënojnë institucionet shtetërore në Maqedoni dhe në rajon.

Mirëpo, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se OKB-Ja dhe Natoja kanë mbështetur me vendosmëri përpjekjet kundër terrorit. OKB-ja hartoi rregulla të reja që e bëjnë më të lehtë identifikimin dhe kapjen e terroristëve të dyshuar si edhe ka punuar për forëcimin e sigurimit përgjatë kufirit. Natoja ka shtuar masat e kontrollit dhe po mbikëqyr organizata me lidhje të mundshme me terrorismin.

Organizata të ndryshme jo qeveritare të identifikuara si përkrahëse të veprimtarive terroriste vazhduan veprimtarinë e tyre edhe në Kosovë. Këto organizata, kryesisht me personel të vogël, të përbërë nga myslimanë të huaj ekstremistë dhe disa dhjetra radikalë vendorë, nuk gëzojnë ndonjë mbështetje të gjerë në radhët e popullatës së moderuar myslimane të Kosovës. Në dhjetor, trupat e Natos kryen bastisje ndaj Fondacionit Ndihmat Globale, një organizatë jo qeveritare në Kosovë që thuhet se ka lidhje me organizata terroriste.

XS
SM
MD
LG