Lidhje

Kalendari Historik 28 maj - 2002-05-28


Më 28 maj të vitit 1968, senatori Eugene McCarthy korri një fitore të papritur ndaj senatorit Robert Kennedy, në zgjedhjet paraprake presidenciale të Partisë Demokrate në shtetin Oregon. Zoti McCarthy ishte kandidati i parë presidencial i rëndësishëm që kundërshtonte publikisht luftën në Vietnam. Kjo ishte humbja e parë në zgjedhje nga një anëtar i familjes Kennedy në 30 zgjedhje të njëpasnjëshme paraprake dhe të përgjithshme që nga viti 1946. Humbja e befasoi senatorin liberal që po krijonte një mbështetje të gjerë për të fituar emrimin si kandidat i Partisë Demokrate për president të Shteteve të Bashkuara. Një ditë pas humbjes së tij Oregon, ”Bobby” Kennedy, vëllai më i ri i presidentit të vrarë John F. Kennedy, u tha gazetarëve se humbja në Oregon, ishte një pikë kritike e fushatës së tij. Ai tha se vendimi për të vazhduar fushatën apo jo do të varej nga rezultati i zgjedhjeve paraprake të 4 qershorit në Kaliforni një javë më vonë. Senatori Kennedy i fitoi këto zgjedhje paraprake, por u qëllua për vdekje disa çaste pas fjalimit të tij me rastin e fitores në Los Angeles.

Më 28 maj të vitit 1830, presidenti Andrew Jackson nënshkroi aktin për zhvendosjen e Indianëve. Kjo masë nënkuptonte dëbimin e indianëve nga territoret e tyre pyjore në lindje e në jug të vendit dhe dërgimin e tyre në një territor të sapokrijuar indian në Oklahoma në perëndim. Presidenti Jackson mendonte se kishte arësye të forta për risistemimin e indianëve, përfshirë konfliktet ndërmjet indianëve dhe të bardhëve. Disa prej këtyre konflikteve ishin rezultat i vendosjes së paligjshme të të bardhëve në rezervatet indiane të garantuara përmes traktateve të nëshkruara nga qeveria. Trysnia politike për të zhvendosur indianët u rrit edhe më tepër, kur u zbuluan rezerva ari në territorin Cherokee të Gerogias në vitin 1829. Akti i Zhvendosjes së Indianëve nuk mori parasysh traktatet me fiset Koktas, Çikasas, Creeeks, Cherokees dhe Seminolët.

XS
SM
MD
LG