Lidhje

Hapet pika e re kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi - 2002-05-28


Në vendin Sukubinë-Muriqan,komuna e Ulqinit,u hap pika e re kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.Përurimin solemn të pikës kufitare e bënë ministrja e jashtme e Shqipërisë, Arta Dade dhe zëvëndëskryeministri i Malit të Zi, Dragan Gjuroviç.

Me mijëra qytetarë nga Ulqini,Tivari,Kraja,Ana e Malit dhe Shkodra u bashkuan sot në solemnitetin e hapjes së pikës së re kufitare në Sukubinë-Muriqan.Në një atmosferë festive dhe mjaft emocionale, banorët e të dyja anëve të kufirit shprehnin gëzimin e papërshkruar që pas më se 50 vitesh përsëri mund të zhvillojnë lirshëm manifestime të përbashkëta,takime dhe njohje të reja.Pikën e re kufitare,e cila gjendet në aksin rrugor Shkodër-Ulqin,solemnisht e përuruan ministrja e jashtme e Shqipërisë,Arta Dade dhe zëvëndëskryeministri i Malit të Zi,Dragan Gjuroviç.

Pas prerjes së shiritit,Arta Dade vlerësoi se hapja e pikës së re kufitare dëshmon bashkëpunimin në rritje midis dy shteteve fqinje,si kusht për bashkëpunimet e ardhshme rajonale dhe evropiane. Ajo shprehi kënaqësinë për hapjen e pikës kufitare,ku sipas saj,krijon mundësi më shumë për lëvizjen e lirë të njerzëve. "Kjo u realizua në saje të përpjekjeve të dy qeverive,të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe gjithashtu në saje të angazhimit të ministrit të pakicave në Mal të Zi,Gëzim Hajdinaga"-tha zonja Dade. Ajo theksoi se hapja e kufirit është një shenjë e mirëkuptimit dhe angazhimit serioz për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ndërkaq,zëvëndëskryeministri i Malit të Zi,Dragan Gjuroviç i deklaroi “Zërit të Amerikës” se hapja e pikës së re kufitare shënon një periudhë të re në marrëdhëniet e mira ndërshtetërore. Zoti Gjuroviç tha se hapja e kufirit paraqet një ditë të jashtëzakonshme që kontribuon në marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë dhe Malit të Zi duke u refluktuar si një shembull i mirë dhe pozitiv për rajonin dhe më gjërë.

Në këtë kuadër,Ministri i Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinagaj theksoi se hapja e kufirit është një ditë historike që shënon bashkëpunimin shpirtërorë midis Ulqinit dhe Shkodrës. Ai tha se kjo është një ditë e veçantë dhe e shënuar,ditë historike për qytetin e Ulqinit dhe të Shkodrës. "U realizua ajo që ne si ministri e kemi paralajmëruar dhe besoj që do ti vazhdojmë edhe më tej bashkëpunimin dypalësh"shtoi ai.Kjo pikë kufitare ofron Shkodrën dhe Ulqinin duke bërë bashkimin shpirtërorë,i cili për vite ishte i ndalur.Këtë e tregon edhe prania e këtij populli ku prej sot Ulqini me Shkodra mund ti këmbejnë vizitat-tha në fund ministri Hajdinagaj.

Pika e re kufitare në Sukubinë-Muriqan e shkurton dukshëm distancën midis dy qyteteve të lashta Shkodrës dhe Ulqinit.Distanca midis këtyre dy qyteteve përmes pikës ekzistuese kufitare të Hanit të Hotit ishte 160 km.,kurse me hapjen e kësaj pike të re kufitare, kjo distancë kufizohet në vetëm 38 km.Nga ky fakt vlerësohet se pika e re kufitare do të ndikojë dukshëm në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të këtij rajoni.Njëherësh,pika kufitare Sukubinë-Muriqan hap lidhje të mira dhe të shpejta me portin e Tivarit,me bregdetin e Malit të Zi dhe me shtetin e Kroacisë.

XS
SM
MD
LG