Lidhje

Deputetët shqiptarë në Maqedoni kundërshtojnë - 2002-05-28


Deputetët shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë po kundërshtojnë miratimin e një deklarate të propozuar nga parlamentarët maqedonas, në të cilën hidhet poshtë rezoluta e miratuar para pak ditësh nga parlamenti i Kosovës, në lidhje me marrëveshjen midis Shkupit dhe Beogradit për kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Iljaz Halimi nga partia demokratike shqiptare, njëkohësisht edhe nënkryetar i parlamentit të Maqedonisë, thotë për Zërin e Amerikës, se ky debat në parlament mund të ngrejë tensione ë mund të ndikojnë negativisht në klimën e tashme politike në këtë vend: “Ne mbështesim mos ndryshimin e kufirit, kufirin që kishte Maqedonia me Kosovën, kërkojmë që përfaqësues të qeverisë të kontaktojnë me përfaqësues legjitimë të institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut për atë që është kontestuese për kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës.

PPD thekson se do të votojë kundër deklaratës së propozuar nga deputetët maqedonas. Ismet Ramadani nga PPD nënvizon se partia e tij ka qenë që në fillim kundër marrëveshjes së nënshkruar midis Shkupit dhe Beogradit për kufirin Maqedoni-Kosovë: “Ne atëherë u sugjeruam palës maqedonase dhe partisë demokratike që të mos miratohet një marrëveshje e tillë sepse në ecje e sipër mund të paraqiten probleme të tilla sepse pala e Kosovës nuk është konsultuar dhe nuk ka marrë pjesë në bisedime, po ashtu nuk kanë marrë pjesë as përfaqësues të UNMIK-ut”.

Për palën shqiptare, ky debat që po vazhdon që prej dy ditësh në parlamentin e Maqedonisë është jo-produktiv, dhe nuk ka as efekt ligjor dhe as politik.

XS
SM
MD
LG