Lidhje

Nato komenton - 2002-05-28


Aleanca veriatlantike bëri të ditur sot se nuk ka ndonjë informacion për personat që sipas autoriteteve maqedonase kishin sulmuar një autokolonë të ushtrisë maqedonase pranë kullës kufitare të Tanushës në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Zyrtarët e NATO-s në Shkup hodhën poshtë shkrimet e shtypit maqedonas në të cilat citohej NATO të kishte thënë se një grup nga Kosova kishte sulmuar dhe ishte kthyer më pas në Kosovë.

Zyra e alenacës në Shkup theksoi se e vetmja gjë që mund të konfirmonte ishe se të shtunën kishte ndodhur një incident në zonë, sic ishte raportuar nga ushtria maqedonase. Aleanca nënvizoi se nuk kishte thënë ndonjëherë se kishte informacion për persona që mund të kishin kaluar kufirin për të kryer ndonjë akt armiqësor. “Nuk janë vënë re persona që të kenë kaluar ilegalisht kufirin në zonën e incidentit të raportuar e cila vëzhgohet nga afër, thekson NATO duke shtuar se të vetmit që janë vënë re ishin 9 persona të ndaluar në Kosovë në afërsi të kufirit të Kosovës me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Ministria maqedonase e mbrojtjes pati njoftuar për incidentin e së shtunës pranë kullës së kontrollit të Tanushës, duke thënë se një grup terroristësh, sic i quante, kishin sulmuar konvojin e ushtrisë maqedonase, por pa shkaktuar viktima. Në njoftimin e ministrisë thuhej vetëm se ushtria maqedonase ishte kundërpërgjigjur dhe se grupi i personave të armatosur ishte tërhequr thellë në zonën pyjore, pa specifikuar se nga kishin ardhur ata që sipas saj kishin qëlluar me raketa dore të hedhura me zola konvojin e ushtrisë maqedonase.

Ndërkohë parlamenti i Maqedonisë vazhdon debatet lidhur me një deklaratë të paraqitur nga deputetët maqedonas në të cilën kërkohet dënimi i rezolutës së miratuar nga parlamenti i Kosovës në të cilën hidhet poshte marrëveshja e nënshkruar midis Shkupit dhe Beogradit për vijën kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Deputetët shqiptarë kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër ose do ta lëshojnë sesionin parlamentar nëse shkohet deri në votim.

XS
SM
MD
LG