Lidhje

Amnesty International - 2002-05-29


Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë që paraqiti në Washington organizata Amnesty International, flitet edhe për gjendjen e këtyre të drejtave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Keqtrajtimi i të ndaluarve, përfshirë fëmijët, krimi i organizuar, si trafiku i drogës, i grave, fëmijëve dhe emigrantëve klandestinë vazhduan të mbeten problem për Shqipërinë për vitin 2001. Drejtorja për mbrojtjen e të drejtave në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Maureen Greenwood tha:

”Në Shqipëri vazhduan problemet. Një prej tyre është keqtrajtimi nga ana e policisë të të ndaluarve, si edhe çështja e përmirësimit të pavarësisë dhe profesionalizmit të gjykatave”.

Organizata thotë se pavarësisht nga përmirësimet, në zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar pati parregullsi të rënda, si edhe raste të ndërhyrjes së policisë.

Përsa i takon Kosovës, në raport thuhet se policia dhe sistemi gjyqësor dështuan në hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për shkelje të të drejtave të njeriut.

”Ne jemi shumë të shqetësuar lidhur me rindërtimin e infrastrukturës së sistemit gjyqësor, veçanërisht lidhur me kualifikimin e policisë dhe të gjykatësve”, tha zonja Greenwood.

Në raport thuhet se UNMIK dhe KFOR-i nuk arritën të mbrojnë plotësisht të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të të ndaluarve.

Krime të dhunshme kundër serbëve, romëve, myslimanëve dhe pakicave të tjera vazhduan të ishin në një përqindje të lartë, thuhet në raport.

Në raport flitet edhe për keqësimin e të drejtave të njeriut në Maqedoni, për shkak të luftimeve mes forcave maqedonase dhe kryengritësve shqiptarë. Keqtrajtimet dhe vrasjet e njoftuara ishin të dyanshme, dhe si pasojë e konfliktit u shpërngulën 170 mijë vetë.

Amnesty International, mendon se ngjarjet e 11 shtatorit dhe zhvillimet që pasuan, e vunë në provë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për respektimin e të drejtave të njeriut.

Por Organizata thotë se qeveria amerikane nuk e kaloi me sukses këtë provë, sepse sipas saj administrata e presidentit Bush duket se mendon se të drejtat e njeriut janë një pengesë për sigurinë kombëtare.

XS
SM
MD
LG