Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit për Trafikun Njerëzor - 2002-06-06


Raporti është i dyti i këtij lloji, që hartohet duke u mbështetur në ligjin kundër trafikut njerëzor miratuar nga Kongresi para dy vjetësh dhe është i fundit para se të ndërmerren sanksione të detyrueshme kundër vendeve, që nuk kanë arritur ta luftojnë problemin.

Ndër 89 vendet e marra nën shqyrtim, 19 ndër to edhe Rusia, Arabia Saudite si edhe anëtaret e NATO-s, Greqia dhe Turqia janë në kategorinë e fundit që vitin e ardhshëm mund t’i bëjë ato objekt të sanksioneve. Por duke folur para gazetarëve, Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell e vuri theksin në vendet, përpjekjet e të cilave kundër trafikut janë përmirësuar më shumë, përfshirë Korenë e Jugut që ka kaluar nga niveli i tretë dhe i fundit në të parin: ”Koreja e Jugut, sipas standarteve të raportit ka bërë hapa të mëdhenj përpara për të përmirësuar gjendjen. Rumania dhe Izraeli po ashtu kanë punuar me ne, për të përforcuar në mënyrë të konsiderueshme përpjekjet e tyre kundër trafikut. Shpresoj që edhe vende të tjera të ndërmarrin hapa të ngjashëm”, tha zoti Powell.

Sipas raportit, nga 700 mijë deri 4 milionë njerëz në gjithë botën, u blenë, u shitën, u transportuan dhe u mbajtën kundër vullnetit të tyre në kushte të ngjashme me skllavërinë vitin e kaluar.

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se Shqipëria është vend burimi dhe tranziti kryesisht për trafikun e grave dhe të vajzave për shfrytëzim seksual në Itali dhe Greqi, si edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Po ashtu ka njoftime për trafik të djemve të vegjël nga Shqipëria në Itali dhe Greqi, si lypës.

Shqipëria që bënte pjesë vitin e kaluar në nivelin e tretë dhe të fundit, këtë vit ka kaluar në grupin e dytë, ku futen vendet që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të plotësuar standartet e përcaktuara për mbrojtjen e viktimave të trafikut.

Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Fatos Tarifa tha për Zërin e Amerikës, se ky është një fakt shumë i rëndësishëm: "Kalimi i Shqipërisë nga vendet e klasifikuara në grupin e tretë, në vendet me një imazh shumë të keq për çështjet e trafikut, në vendet që klasifikohen në grupin e dytë është një vlerësim jo vetëm për përpjekjet maksimale që po bëhen në Shqipëri në këtë drejtim por edhe për progresin e arritur deri më sot, progres i cili tashmë njihet, progres i cili ka të bëjë me një punë më të mirë të të gjitha strukturave shtetërore në Shqipëri për të luftuar trafikun njerëzor qoftë të atij që gjenerohet nga vetë vendi, qoftë atij që hynë në Shqipëri nga burime të tjera".

Ndër masat e marra nga qeveria radhiten arrestimi i 96 personave për krime të lidhura me trafikun e njerëzve nga dhjetori i vitit 2000 në tetor të vitit 2001 dhe intensiteti i arrestimeve po shtohet. Ndër ta, ka patur të paktën 12 dënime, por deri tani dënimet janë dhënë për akuza të zbutura, siç është nxitja e trafikut. Korrupsioni mes radhëve të policisë, i pengon përpjekjet kundër trafikut. Sipas një studimi të organizatave ndërkombëtare, 10 për qind e viktimave të huaja që janë trafikuar përmes Shqipërisë raportuan se policia ishte e implikuar drejtpërdrejt. Pak zyrtarë të policisë ose qeverisë janë ndjekur penalisht.

Duke bashkëpunuar me qeveri të tjera të rajonit, qeveria shqiptare shkëmbeu informacion me to për 15 raste trafiku në vitin 2001.

Policia nuk i trajton më viktimat e trafikut si kriminelë dhe i drejton ato vazhdimisht tek qendrat e posaçme të organizatave joqeveritare dhe organizatave të huaja.

Shefat e policisë të Fierit dhe Durrësit ngritën në prefekturat e tyre, qendra strehimi të përkohshme për mbrojtje të dëshmitarëve, me ndihmën e shoqatave dhe firmave private vendase.

Nuk ka përpjekje për parandalim të dukurisë, të financuara nga qeveria, por sektori i luftës kundër trafikut po përgatit një studim mbi llojet dhe metodat e trafikut që mund të ndihmojnë në strategjitë e ardhshme për parandalim.

XS
SM
MD
LG