Lidhje

Intervistë me  profesoren e shkencave politike Sabrina Ramet - 2002-06-06


Autoritetet vetqeverisëse në Kosovë ndeshen aktualisht me një provë vendimtare, thotë profesorja e shkencave politike në Universitetin Trontheim të Norvegjisë, Sabrina Ramet. Qeveria e re duhet të tregojë se është e aftë t’i shërbejë harmonisë dhe bashkëpunimit, dhe të mos përqëndrohet në çështje që sjellin ndërlikimin e situatës dhe mund të ndikojnë negativisht në aspiratat e shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. Kosova ende po përjeton pasojat e traumave të luftës. Disa nga këto pasoja janë më të dukshme dhe më problematike aty ku jetojnë një numër i konsiderueshëm pakicash serbe, si për shembull në Mitrovicë. Zonja Ramet vlerëson punën e autoriteteve ndërkombëtare në këtë drejtim dhe bën thirje për më shumë angazhim nga të dyja palët drejt pajtimit dhe bashkëjetesës:

“Mendoj se Unmiku ka bërë një punë shumë të mirë në kushte mjaft të vështira. Regjimi i Millosheviçit la pas një atmosferë mosbesimi ndërmjet dy grupeve etnike. Aktet e dhunës janë çështje kohe. Është e vështirë të gjendet një zgjidhje e shpejtë për vuajtjet që kanë përjetuar të dyja palët. Për të zgjidhur këtë situatë do të duhet një angazhim serioz i të dyja palëve,” thotë analistja.

Zonja Ramet pohon se qeveria e re e Kosovës nuk gëzon kompetenca të plota, por shton se autoritetet vendore mund të shfrytëzojnë kompetencat që kanë, si për shembull arsimin dhe kulturën për të nxitur një atmosferë paqësore dhe për t’i shërbyer krijimit të një shoqërie më tolerante në Kosovë.

Studiuesja vë në dukje me shqetësim se autoritetet ndërkombëtare duket se po përpiqen ta lënë në harresë çështjen e statusit të Kosovës:

“Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Bashkimin Evropian dhe zotin Solana, po përpiqen ta mënjanojnë çështjen e statusit për fundimtar duke i dhënë Kosovës një nivel të konsiderueshëm vet-qeverisjeje për të kënaqur shqiptarët, por nga ana tjetër duke ruajtur disa lidhje me Serbinë, në mënyrë që Beogradi të jetë i kënaqur. Por kjo zgjidhje, thotë profesorja e shkencave politike, nuk besoj se mund të japë rezultat.”

Zonja Ramet sugjeron se për momentin është në interes të popullit të Kosovës dhe aspiratave të tyre për pavarësi të tregojnë një shpirt bashkëpunimi dhe harmonie dhe të mos përqëndrohen në çështje që mund të sjellin ndërlikime: “Qëndrimi i Asamblesë së Kosovës në javët e ardhshme do të jetë përcaktues. Vota e Asamblesë për të shpallur kufirin me Maqedoninë si të papranueshëm ishte e papeshuar mirë, pasi komuniteti ndërkombëtar priste nga parlamenti i ri bashkëpunim dhe harmoni dhe jo ndërlikimin e gjendjes. Për këtë arsye vota e tyre nuk u njoh nga UNMIK-u, Bashkimi Evropian, si dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara. Nëse parlamenti i Kosovës do të mbështeste me këmbëngulje këtë qëndrim, mund të krijonte ndërlikime në përpjekjet për pavarësi. Pavarësia mund të arrihet më me lehtësi nëse qeveria e Kosovës tregon se i pranon kufijtë e tanishëm.”

Kohët e fundit revista Lobi në Maqedoni botoi një intervistë të sajuar me zonjën Ramet. Redaksia e revistës botoi më pas një sqarim ku i kërkon falje analistes për këtë incident. Në intervistën e paqënë, të revistës Lobi, thuhej se zonja Ramet mbështeste idenë e një Federate Ballkanike, të cilën, siç shpjegon analistja në bisedë me Zërin e Amerikës, ajo nuk e ka sugjeruar asnjëherë: “Në intervistë ngrihej ideja e një Bashkimi Ballkanik, që shtrihet nga Sllovenia në Turqi, si një mënyrë për të përshpejtuar pranimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Nuk mendoj se kjo do të ishte një ide e mirë, pasi ky bashkim do të bazohej në parimin e hallkës më të dobët. Pra i gjithë bashkimi do të vuante të metat e hallkës më të dobët, të cilat do të pengonin përparimin e të gjitha vendeve në këtë bashkim,” shprehet zonja Ramet.

Analistja thotë se mënyra më e mirë për të siguruar një përparim në rajon është që secili nga vendet të përqëndrohet në zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe përmbushjen e parametrave të institucioneve ndërkombëtare ku kërkon të antarësohet.

XS
SM
MD
LG