Lidhje

Intervistë me Ambasadorin amerikan për Krimet e Luftës - 2002-06-06


ZE: Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara certifikuan dokumentin, në të cilin thuhet se Beogradi ka plotësuar kushtet për çbllokuan e ndihmave amerikane, të cilat kongresi i kishte kushtëzuar me bashkëpunimin e Beogradit me Gjykatën e Hagës për dorëzimin e personave të paditur për krime lufte. Ky vendim është kritikuar si i parakonshëm. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

PP: Po të shikojmë kronologjinë e ngjarjeve në Beograd gjatë vitit të fundit vëmë re një farë përparimi. Më 31 mars të këtij viti, sekretari i shtetit Powell deklaroi se nuk kishte pasur përparim të mjaftueshëm dhe bashkëpunim me Gjykatën e Hagës nga ana e Beogradit. Që atëhere janë bërë disa hapa përpara si miratimi i ligjit të ekstradimit, i cili bën të mundur bashkëpunimin dhe transferimin e personave të paditur në Gjykatën e Hagës. Ne gjithnjë kemi thënë se ligji nuk ishte absolutisht i domosdoshëm për autoritetet e Beogradit që të përmbushnin detyrimet ndërkombëtare. Kyçi këtu është që Beogradi të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës, që personat e paditur për krime lufte të transferohen në Hagë dhe të sigurohen prova. Ne e dimë se ligji nuk është perfekt, dhe se ekzistojnë probleme me disa prej dispozitave të ligjit. Ne ishim të interesuar për masa konkrete. Por çështja kryesore këtu është që qeveria e Beogradit duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare, duhet të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës, në mënyrë që të krijohen marrëdhënie më normale dhe një mjedis më normal. Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi është një proces i tërë dhe jo një hap i vetëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e Beogradit, dhe ti kërkojmë asaj që të përmbushë angazhimet ndërkombëtare në mënyrë që të ecim përpara lidhur me këtë çështje.

ZE: Për një kohë të gjatë, në qarqet e Washingtonit është shprehur shpesh mendimi se në Ballkan nuk do të ketë stabilitet, paqe dhe rikthim në gjendjen normale në qoftë se Radovan Karaxhiçi dhe Ratko Mlladiçi nuk u dorëzohen autoriteteve të Hagës. Ju keni shkuar disa herë në Beograd, ku keni pasur takime me autoritetet jugosllave rreth çështjes së dorëzimit të personave të akuzuar për krime lufte. Ç’masa kanë marë Shtetet e Bashkuara që të bëhet realitet ky objektiv, ky qëllim?

PP: Ne po bëjmë disa gjëra. Ne po përpiqemi vazhdimisht të gjejmë Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç. Siç dihet, në muajin shkurt ne u përpoqëm ta arrestojmë Karaxhiçin, fatkeqësisht një përpjekje kjo e pasukseshme. Ne u përpoqëm përsëri disa ditë më vonë. Ne mendojmë se jemi afër gjetjes së tij dhe se do ta gjejmë atë. Ne mendojmë se këta dy individë do të shkojnë në Hagë. Ata duhet të përfundojnë në Hagë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të dedikuara në këtë kauzë dhe ne do të ndërmarrim të gjitha masat brënda kompetencave tona për ta bërë realitet dorëzimin e tyre në Hagë.

ZE: Duket sikur administrata amerikane të ketë dhënë sinjale të ndryshme për sa i përket punës së gjykatës së Hagës, se është lodhur me të, madje ekziston përshtypja se sapo Karaxhiçi dhe Mlladiçi të përfundojnë në Hagë, Shtetet e Bashkuara do të mbeteshin të kënaqura e madje edhe do të tërhiqnin mbështetjen për Gjykatën e Hagës. Cili është qëndrimi i qeverisë amerikane.

PP: Pozita amerikane lidhur me gjykatën e Hagës është se ajo është e përkohshme, dhe nuk synohet të jetë një institucion i përhershëm. Të gjithë duhet ta pranojmë këtë fakt. Ne kemi parashtruar politikën ose filozofinë se gjykata duhet të funksionojë me synimin drejt përfundimit me sukses. Shtetet e rajonit duhet të bashkëpunojnë me gjykatën dhe të dorëzojnë të akuzuarit. Shtetet e rajonit duhet të pranojnë gjithashtu përgjegjësinë për të gjykuar shkelësit, zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët. Ne po përpiqemi të ndryshojmë mjedisin në Beograd, Sërbi dhe gjetkë në ish-Jugosllavi për ta bërë më të pranueshme për dëshmitarët që të thonë të vërtetën. Unë do të shkoj së shpejti në Beograd dhe ne do të vazhdojmë t’i diskutojmë këto çështje e të tjera si këto me qeverinë e Beogradit. Ne do të vazhdojmë të ndryshojmë mjedisin në mënyrë që të kemi bashkëpunimin e plotë jo vetëm të qeverisë, por edhe të qytetarëve të thjeshtë, në mënyrë që edhe këta të fundit të përmbushin detyrimet e tyre ndaj gjykatës.

ZE: Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën të tërheqin firmën nga traktati i Romës. Ky vendim u cilësua nga shumë individë dhe grupe si i dëmshëm se dëmton kredebilitetin e Shteteve të Bashkuara. A ju shqetëson ju fakti që edhe vende të tjera mund të tërhiqen nga traktati i Romës, vende që nuk kanë ligjet e nevojshme për ndjekjen penalisht të të akuzuarve?

PP: Për sa i përket gjykatës ndërkombëtare kriminale ne patëm disa shqetësime dhe probleme themelore lidhur me vetë traktatin e Romës. Ne jemi të vetëdijshëm se ideja e krijimit të një gjykate të tillë të përhershme është një ide fisnike. Natyrisht që ne duam të vëmë para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerzimit. Kjo është e padiskutueshme. Ne do të vazhdojmë të jemi një udhëheqës në këtë fushë, madje kjo është përgjegjësia ime. Unë ia përkushtoj 100 përqind të punës time ndjekjes së kriminelëve dhe nxjerrjes së tyre para drejtësisë. Por për sa i përket krijimit të gjykatës ndërkombëtare kriminale, ne arritëm në përfundimin se nuk u bënë të mundura disa koregjimi, që do ta bënin procesin më të besueshëm, prandaj ne vendosëm të tërhiqeshim nga procesi i krijimit të gjykatës. Por kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkaura po largohen nga angazhimi për të mbajtur përgjegjës shkelësit e ligjit. Nuk mendoj se vendimi amerikan dëmton pozitën e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, sepse njerzit do të shikojnë me sytë e tyre se ne do të mbetemi një udhëheqës në këtë çështje dhe do të flasim hapur me forcë kundër shkeljeve dhe papërgjegjshmërisë.

XS
SM
MD
LG