Lidhje

Armitage: shenja uljeje të tensionit Indi - Pakistan - 2002-06-08


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Richard Armitage tha se India po shqyrton marrjen e masave diplomatike dhe ushtarake për të shtuar besimin në marrëdhëniet me rivalin e saj bërthamor, Pakistanin.

Zoti Armitage u tha gazetarëve se New Delhi po shikon mundësinë e kthimit të disa prej diplomatëve të tij në Islamabad. Ai tha gjithashtu se India ka në plan të bëjë përpjekje për të pakësuar tensionin mes rreth një milionë trupave indiane dhe pakistaneze që janë përqendruar në vijën e kontrollit që ndan Kashmirin.

Ai tha gjithashtu se janë vënë re shenja të dukshme të uljes së tensionit mes Indisë dhe Pakistanit, të paktën përkohësisht.

Zoti Armitage i bëri këto deklarata në kryeqytetin e Estonisë, Tallin, ku ai po informon sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld para se kreu i Pentagonit të niset për në Azinë Jugore pas pak ditësh.

Diplomati i lartë amerikan tha gjithatu se gjatë bisedimeve që zhvilloi së fundi në New Delhi dhe Islamabad, zyrtarët e të dy vendeve e siguruan se nuk duan që të hynë në luftë për territorin e diskutueshëm të Himalajave. Ai tha se presidenti pakistanez, Pervez Musharaf, u zotua se do të ndalë inkursionet e ekstremistëve islamikë në Kashmirin indian.

Ndërkaq, Pakistani tha se aeroplanët e tij luftarakë e goditën dhe rrëzuan një aeroplan indian zbulimi pa pilot në afërsi të Lahores, rreth 30 kilometara në brendësi të kufirit pakistanez. India e konfirmoi humbjen e aeroplanit të saj të zbulimit, ndërsa po fluturonte në hapësirën ajrore të Pakistanit, por e minimizoi incidentin duke thënë se përdorimi i avionëve të tillë është i zakonshëm nga të dy palët. Islamadadi ka thirrur një diplomat nga ambasada indiane për t’i dorëzuar një notë zyrtare proteste lidhur me këtë incident.

Ndërsa të dy palët po marrin masa për të vendosr qetësinë në rajon, përleshjet ndërkufitare vazhdojnë në Kashmir, ku të paktën 14 vetë njoftohet e janë vrarë.

Ndërkaq zyrtarë të Indisë dhe Pakistanit thonë se i kanë pohuar sekretarit amerikan të shtetit, Colin Powell, se janë të kënaqur me rezultatet e përpjekjeve diplomatike të nën-sekretarit të shtetit Armitage në Azinë Jugore.

Në një deklaratë të qeverisë në New Delhit thuhet se ministri i jashtëm, Jaswant Singh, i ka thënë sekretarit Powell se India i mirëpret zotimet e Pakistanit për t’i dhënë fund menjëherë dhe përgjithmonë depërtimit të militantëve islamikë në pjesën Kashmirit të kontrolluar nga India. Në deklaratë shkruhet gjithashtu se përgjigja e Indisë ndaj përpjekjeve të Pakistanit në Kashmir do të ishte e përshtatshme dhe pozitive.

Një zëdhënës i qeverisë së Pakistanit tha se sekretari Powell i tha presidentit Pervez Musharraf se Shtetet e Bashkuara i çmojnë përpjekjet e tij për pakësimin e tensioneve me Indinë. Zëdhënësi thotë gjithashtu se gjenerali Musharraf i kujtoi zotit Powell angazhimin e vendosur të vendit të tij për të shmangur luftën dhe për të punuar për paqe e qendrueshmëri rajonale.

Zoti Powell u telefonoi sot në mëngjes të dy udhëheqësve, disa orë pasi zoti Armitage i dha fund vizitës së tij në rajon.

XS
SM
MD
LG