Lidhje

Intervistë me analistin James Hooper - 2002-06-10


AX: Në fillim të javës, Grupi Ndërkombëtar i Krizive kritikoi ashpër UNMIK-un, në një raport për Kosovën, që nuk ka bërë sa duhet për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Analisti James Hooper, ka punuar për Grupin Ndërkombëtar të Krizave dhe ne i kërkuam mendimet e tij lidhur me raportin e fundit të këtij grupi. Përse komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë më shumë dhe a mund të bënte më shumë?

JH: Pa dyshim që komuniteti ndërkombëtar mund të kishte bërë më shumë. Që në fillim ata lejuan që veriu i Mitrovicës të bëhej një zonë ku nuk vepronte ligji. Kjo zonë u bë strehë e shumë elementëve kriminalë që përdorin çështjen kombëtare për të ruajtur pushtetin e tyre për të ruajtur kontrollin e tyre të paligjshëm mbi zonën në veri të lumit Ibër. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i kishte dhënë kësaj fund menjëherë sapo forcat e Natos hynë në Kosovë.

AX: Atëherë përse komuniteti ndërkombëtar nuk ka arritur të bëjë më shumë për ta vënë edhe këtë qytet nën kontroll ashtu si pjesën tjetër të Kosovës?

JH: Komuniteti ndërkombëtar me sa duket u vu në pozitë të vështirë për shkak të qëndrimeve që u mbajtën ndaj serbëve në Kosovë. Pra ata u treguan më tolerantë ndaj serbëve në veri te Mitrovicës. Por arësyeja e vërtetë është se Shtetet e Bashkuara nuk këmbëngulën në këtë gjë dhe disa aleatë evropianë si francezët, që po pëgatiteshin për marrëdhënie me Beogradin nuk dëshironin t’i dëmtonin marrëdhëniet me Serbinë dhe lejuan që serbët të kishin kontrollin ne veri. Ajo që ka ndodhur me Mitrovicen është e patolerueshme. Shpesh kur trupat e KFOR-it kanë ndërhyrë për të larguar rrojet e urës dhe kanë ndeshur në rezistencë janë tërhequr, në vend që të shkonin deri në fund. Dhe ajo që po ndodh tani është se elementët kriminalë e kanë kuptuar se KFOR-i nuk ka vendosmërinë e duhur për të ndërhyrë kundër tyre dhe kjo ka minuar gjithë rolin e UNMIK-ut dhe KFOR-it në veri.

AX: Tani që vëmëndja e komunitetit ndërkombëtar është përqëndruar tek terrorizmin ndërkombëtar a ekziston ende mundësia që të bëjnë më shumë për qytetin e Mitrovicës apo tashmë është vonë?

JH: Ende ka kohë dhe duhet vepruar. Si për t’u treguar shqiptarëve në Kosovë se shteti ligjor do të veprojë në gjithë Kosovën. Por po ashtu kjo do të jetë mirë edhe për Serbinë, ku forcat demokratike që erdhën pas Millosheviçit po përpiqen të vendosin shtetin ligjor. Nuk ka kuptim që pjesa e veriut të Mitrovicës të jetë nën një regjim të tillë pa ligje nën kontrollin e rrojeve të urës. Ata përfitojnë pare në rrugë të jashtëligjshme nga bizneset, madje edhe hapur, kjo minon kredibilitetin e Steinerit, minon kredibilitetin e UNMIK-ut të KFOR-it si dhe përpjekjet për demokraci në Beograd dhe përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar një qeveri demokratike në Kosovë.

AX: Udhëheqës të ndryshëm sërb në Kosovë e kritikuan menjëherë raportin e grupit ndërkombëtar të Krizave duke thënë se ai është më tepër një raport i ndikuar nga lobi shqiptar. Ju keni punuar për Grupin Ndërkombëtar të Krizave më parë. A mendoni se grupe të tilla si GNK mund të ndikohen nga lobe të ndryshme ose të jenë të njëanshëm në qëndrimet e tyre?

JH: Jo. Unë kam respekt të madh për Grupin Ndërkombëtar të Krizave për vitet që punoja për të. Ata analizojnë problemet e vështira që pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar përpiqet t’i shmanget dhe Mitrovica është një prej tyre. Organizata si Grupi i Krizave përpiqen të sensibilizojnë opinion për to dhe të sigurojnë mbështetje për ndryshimin e qëndrimit të politikanëve. Ata janë një grup serioz që nuk mund të blihen nga grupe lobiste, shqiptare a serbe. Raporti duhet parë shumë seriozisht. Në të ka shumë ide të mira.

AX: Tani që u krijuan institucionet vetqeverisëse në Kosovë si parlamenti apo qeveria mendja e njerëzve menjëherë shkon tek statusi përfundimtar i Kosovës. A është ende herët të filluar bisedimet për të statusin përfunditar të Kosovës?

JH: Jo nuk është shpejt. Megjithëse për Mitrovicën nuk ka bërë sa duhet, lidhur me të tjerat zoti Steiner, ka punuar shpejt. Ai është një zyrtar dinamik, serioz, me synime të mira, i vendosur që do ta çojë këtë proces përpara. Por ajo që duhet bërë tani që u ngritën institucionet, tani që u krijuan bazat e demokracisë parlamentare, është ecja përpara me hartimin e planeve, e projekteve për statusin përfundimtar në bashkëpunim me grupet e ndryshme politike. Eshte ende herët të flitet për vetë statusin por nuk është herët të hartohen planet se si do të realizohet kjo. Ky është hapi tjetër që ai duhet të hedhë.

XS
SM
MD
LG