Lidhje

Departamenti i ri për sigurinë kombëtare - 2002-06-10


Presidenti Bush ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të Kongresit, për idenë e tij dhe ka vënë në pah se riorganizimi i sigurisë kombëtare do të sjellë kursime në buxhet.

”Duhet të mësohemi me faktin se kjo mund të jetë një gjendje e përhershme në shekullin e 21-të”. Kështu tha drejtori i sigurisë kombëtare, Tom Ridge, që së shpejti mund të drejtojë një departament të ri, në nivel ministror, duke folur mbi rrezikun e vazhdueshëm të terrorizmit ndaj Shteteve të Bashkuara. Presidenti George Bush, ka bërë publike planet për të krijuar praktikisht një super-agjenci, duke kombinuar 22 agjenci aktuale në një të vetme, me synimin për të parandaluar sulme të ardhshme kundër Shteteve të Bashkuara. Presidenti Bush u kërkoi mbështetje disa anëtarëve me peshë të Kongresit, duke pranuar se disa njerëzve mund të mos u pëlqejë aspak që të heqin dorë nga disa kompetenca: ”Një nga rrugët për t’i bindur ata, është ndihma e vlefshme e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Dhe ky është qëllimi i këtij takimi. Është fillimi i betejës për të fituar terren”. Departamenti i ri i sigurisë kombëtar parashikohet të trashëgojë mbi 169 mijë punonjës dhe mbi 37 miliardë dollarë buxhet nga agjencitë që pritet të përfshihen në të. Presidenti Bush vuri në dukje se riorganizimi do të sillte kursime:

”Kombinimi i agjencive që janë të shpërndara në të gjithë qeverinë, sjell kursime, çka do të thotë se do të kemi më shumë para për aspektet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare”. Ndër agjencitë që do të kalojne nën departamentin e ri janë: shërbimi sekret, doganat, imigracioni, si edhe roja bregdetare, agjencia per sigurimin e aeroporteve, për mbrojtjen e sistemeve te ujit, si dhe të komplekseve bërthamore. Kreu i agjencisë, që pritet të jetë Tom Ridge, do t’i raportojë drejtpërdrejt Presidentit. Duke folur para amerikanëve në Des Moines, Iowa, Presidenti Bush tregoi se pret me padurim ta çojë projektin e paketës ligjore në kongres dhe që ai ta miratojë atë sa më parë: ”Unë kam besim se do të bëhet, veçanërisht kur populli amerikan e kupton se vënia e këtyre agjencive në një drejtim të vetëm, është në interesin tonë kombëtar”. Deri tani, Kongresi ka reaguar në përgjithësi pozitivisht ndaj idesë për agjencinë e re në nivel ministror.

XS
SM
MD
LG