Lidhje

Në Kosovë shënohet tre vjetori i hyrjes së KFOR-it - 2002-06-11


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova bëri thirrje sot për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ai i bëri këto komente në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës më rastin e tre vjetorit të hyrjes së forcave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

Presidenti Rugova tha se 12 qershori është një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës: “Sot pas tri vjetësh duhet pranuar se Kosova e lirë ka pasur një prores të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës. Prandaj njohja formale e pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtëpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht”, tha presidenti Rugova.

Ai bëri të ditur poashtu se do t’i propozojë Parlamentit që 12 qershori të shpallet ditë e lirisë së Kosovës. Zoti Rugova përshëndeti të gjithë burrështetasit botëror që kanë ndihmuar për clirimin e Kosovës, ndërsa në vecanti u shprehu mirënjohje pjestarëve të forcave paqëruajtëse.

Në komandën e këtyre të fundit në Prishtinë sot u zbulua një përmendore në kujtim të ushtarëve që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it gjenerali francez Marcel Valentin tha se gjatë tri vjetëve të fundit rreth 250 mijë pjestarë të forcave paqëruajtëse kanë sakrifikuar nga një pjesë të jetës së tyre për lirinë dhe paqen në Kosovë. Por disa të tjerë tha ai kanë paguar një cmim më të shtrenjtë. “68 ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetërat e tyre duke i shërbyer paqes, lirisë dhe sigurisë në Kosovë”, tha gjenerali Valentin. Të gjithë ata kanë pësuar gjatë punës së tyre në aksidente apo në përpjekjet për deminimin e terenit apo edhe në incidente të tjera.

Gjenerali Valentin tha se të gjithë ushtarët e tij të rënë kanë punuar për t’a sjellë Kosovën deri këtu ku është që përveç tjerash të ketë dhe një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Dhe këto sipas gjeneralit farncëz, janë fitore të mëdha që nuk kanë mundur të arrihen pa një cmim të lartë.

Gjithandej Kosovën tashmë po mbahen manifestime të ndryshme me rastin e tre vjetorit të përfundimit të luftës. Në Prishtinë sot është shënuar dita e kryeqytetit, ndersa gjatë ditës së nesërme paralajmërohen manifestime të tjera.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s kundër caqeve serbe, trupat e KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjecare. Forcat serbe të sigurimit u tërhoqën duke lënë pas vetes pasojat e rënda të fushatës hakmarrëse të ish presidentit Jugosllav tash të akuzuar për krime lufte Sllobodan Millosheviq kundër popullatës shqiptare.

XS
SM
MD
LG