Lidhje

Kaos në politikën shqiptare për çështjen e presidentit - 2002-06-21


Kaos në politikën shqiptare për çështjen e presidentit të ri të vendit. Dita e sotme ka qenë e mbushur me të papritura që e kanë pasuar njëra tjetrën.

Ndërsa partitë kryesore të vendit arritën për herë të parë një marrëveshje të përbashkët për të propozuar kandidaturën e ambasadorit të Shqipërisë në Bruksel Artur Kuko, ky i fundit ka deklaruar se preferon të vazhdojë të japë kontributin e tij në postin e diplomatit. Një deklarim që përmbys përpjekjet që cuan në arritjen më të madhe politike në historinë e pluralizmit shqiptar.

Pas vitesh të tëra mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh nga më të ashprat, partitë e të gjitha krahëve dhe dy kundërshtarët e mëdhenj të politikës, kryetari socialist Fatos nano dhe kryetari demokrat Sali Berisha, gjetën një zgjidhje të përbashkët për një nga cështjet që konsiderohej nga më delikatet.

Pas katër raundesh bisedimesh, pozita dhe opozita, mes listave të gjata me emra kandidaturash, dhe pas një takimi kokë më kokë zoti Nano dhe zoti Berisha, u bashkuan rreth emrit të ambasadorit shqiptar në Bruksel Artur Kuko. Emri i tij qarkulloi që mbrëmë.

Kandidatura e Kukos nuk hasi në kundërshtime as të partive të tjera të opozitës, ndërsa shkaktoi debat në gjirin e partisë socialiste.

Megjithatë edhe këtu kandidatura e ambasadorit shqiptar në Bruksel u mbrojt fuqimisht nga figurat qëndrore dhe drejtuese të socialistëve mes të cilëve edhe ish kryeministri Ilir Meta, i cili duket se është njeriu që edhe e propozoi.

Zyrtarisht, propozimi për zotin Kuko u bë sot pak pas mesditës. Të gjitha palët dhanë vlerësime maksimale rreth kandidaturës së përbashkët.

Marrëveshja u quajt një arritje në të mirë të stabilitetit të vendit dhe integrimit të tij në strukturat euroatlantike. Dhe pikërisht atëherë kur ajo që dukej si gati e pabesueshme deri pak kohë më parë, ishte bërë realitet, nga Brukseli erdhi deklarata bombë e ambasadorit Kuko, për refuzimin e kandidaturës.

XS
SM
MD
LG