Lidhje

Robertson do të vizitojë Maqedoninë - 2002-06-25


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson pritet të vizitojë të enjten Maqedoninë për tu takuar me udhëheqësit politikë të vendit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shkup.

Pritet që Hollanda të marrë zyrtarisht komandën e misionit Dhelprat e Kuqërremta nga Gjermania pasi qeveria gjermane vendosi të tërhiqet nga drejtimi i misionit në Maqedoni për shkak të detyrimeve të këtij vendi në disa misione ndërkombëtare.

Ndërrimi i komandës pritet të bëhet nesër në bazën Bunarxhik pranë Shkupit, Gjermania pritet ta zvogëlojë numrin e ushtarëve të saj në Maqedoni në 750 nga 1000 ushtarë që kishte në këtë vend. Mandati i misionit të NATO-s në Maqedoni mbetet i pandryshuar deri tani, ai është mbrojtja e vëzhguesve të OSBE-së dhe BE-së.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, qeveria e Maqedonisë nuk dha sot ndonjë zhvillim të ri lidhur me cështjen e gjuhës që do të përdoret në pashaportat e reja të vendit, pas kthimit të projektligjit për këtë cështje në qeveri.

Pala shqiptare ngul këmbë që gjuha shqipe të përdoret edhe në ballinën e pashaportës dhe jo vetëm në brendi të saj sic kërkon pala maqedonase. Kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferri tha sot në Tetovë se kjo cështje mund të destabilizojë Maqedoninë dhe kërkoi që të gjendet zgjidhje për të para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Zoti Xhaferri theksoi gjithashtu se duhet të mbahet takim tjetër midis udhëheqësve politikë të vendit me presidentin Boris Trajkovski për të gjetur një zgjidhje për këtë problem.

Po sot, kryetari i parlamentit Stojan Andov tha se afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve nga parlamenti është 7 korriku ndërsa afati për shpalljen e komisionit qendror zgjedhor është 5 korriku. Zgjedhjet duhet të mbahen më 15 shtator nëse gjithcka shkon sipas parashikimeve.

XS
SM
MD
LG