Lidhje

James Jeffry pritet të konfirmohet si ambasadori i SHBA në Shqipëri - 2002-06-25


Dje Komisioni i senatit për Marrëdhëniet me Jashtë zhvilloi një seancë pyetje-përgjigjesh me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të emëruar në disa vende të botës, midis të cilëve edhe ambasadorin amerikan në Shqipëri, James Jeffry. Në diskutimin e tij, zoti Jeffry tha se duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët e tyre evropane, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë përpjekjet e Tiranës për integrimin e vendit në bashkësinë evropiane.

Seancën e drejtoi senatori nga Florida, Bill Nelson, i cili tha se Shqipëria megjithëse një vend i vogël, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Shtetet e Bashkuara. Por, shtoi ai, qeveria shqiptare duhet të bëjë më tepër përpjekje për integrimin e vendit në Evropë. "Udhëheqësit shqiptarë duhet të reformojnë qeverinë e tyre, veçanërisht policinë dhe sistemin gjyqësor, me qëllim që një ditë të mirëpriten plotësisht nga demokracia evropiane dhe nga bashkimi evropian. Zoti Jeffry, në se ju konfirmoheni, udhëheqja dhe përvoja juaj do të jenë me vlerë të madhe për praninë tonë në Shqipëri. Nevoja për reforma, për modernizim në atë vend të vogël kanë rëndësi të jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara, prandaj ju do të keni shumë punë për të bërë" tha zoti Nelson. Në fjalën e tij zoti Jeffrey tha se niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, zor se mund të gjendet në një vend tjetër të botës. Kjo, tha ai, buron nga admirimi i madh që qeveritë shqiptare dhe vetë populli kanë patur historikisht për Shtetet e Bashkuara dhe gjithshka që ato përfaqësojnë. Kjo është gjithashtu një pasqyrë e angazhimit tonë të fuqishëm dhe pozitiv, krahas me aleatët tanë evropianë gjatë 10 vjetëve të fundit, theksoi ai. "Zoti kryetar, marrëdhënet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë janë të shkëlqyera... Në se konfirmohem si ambasador unë do t’i çoj më tej këto marëdhënie të shkëlqyera dhe do t’i përdor për arritjen e synimeve të mëtejshme të Shteteve të Bashkuara në rajon", tha ai. Zoti Jeffry tha se synimi i tij i parë në Shqipëri është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër terrorizmit. Fuqizimi i kufijve të Shqipërisë, tha zoti Jeffrey, ka qenë një nga qëllimet e Shteteve të Bashkuara për disa vjet me radhë, por aktualisht kjo vazhdon të ketë një rëndësi të madhe. Ajo do të ndihmojë stabilitetin rajonal, si dhe frenimin e trafikut të paligjshëm të drogës, armëve dhe njerëzve. Kjo tha ai, ka të bëjë me të metat e institucioneve në Shqipëri, të cilat kanë qenë të pafuqishme për kufizimin e trafikut të paligjshëm. Duke punuar ngushtë me parnerët tanë evropianë, tha zoti Jeffery, Shtetet e Bashkuara po e ndihmojnë Shqipërinë për integrimin në institucionet evropane dhe ato euroatlantike. Një nga përparësitë e punës sime, tha zoti Jeffry, do të jetë integrimi i Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, reformimi i policisë dhe i sistemit gjyqësor si dhe hapja e vendin ndaj tregëtisë së lirë. Në se konfirmohem tha ai, unë do të përpiqem të ndihmoj Tiranën në përpjekjet për arritjen e këtyre synimeve. Ligjet transparente tregëtare, krijimi i gjykatave te pavarura, forcimi i organizatave jo-qeveritare, levizja e lire e kapitalit, dhe krijimi i nje shoqerie te lire nga korrupsioni jane ende objektiva per tu realizuar. Por përparim po behet ne shume drejtime, përfshirë privatizimin, shtypin e lire dhe reformen elektorale, tha zoti Jeffrey. Për konfiimimin e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, do të zhvillohet votimi në Senat, që pritet të bëhet nga mesi i muajit korrik.

XS
SM
MD
LG